Vdes një punëtor gjatë punimeve në stacionin policor në Zubin Potok
Një 29-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është lënduar derisa ishte duke kryer punime në ndërtimin e stacionit të ri policor në Zubin Potok, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, më 1 shtator, rreth orës 10:00, Policia ka pranuar informacion nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Zubin Potok se një person ishte sjellë në këtë qendër me lëndime të rënda trupore.
Bazuar në hetimet fillestare, dyshohet se personi, punëtor i një kompanie private, ishte lënduar derisa ishte duke kryer punime në ndërtimin e stacionit të ri policor në Zubin Potok.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, stafi mjekësor emergjent e ka dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal në Mitrovicë Veri, ku rreth orës 11:00 mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore, inspektorët komunalë dhe inspektorët e punës.
Pas përfundimit të këqyrjes së vendit të ngjarjes, është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës, mashkull 29-vjeçar, i lindur më 1996, është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Lidhur me rastin është intervistuar një person me inicialet B.B., i lindur më 1977, në cilësinë e të dyshuarit, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar me qëllim të ndriçimit të plotë të rrethanave të ngjarjes.



