Sadiku: LDK-ja duhet të çlirohet nga komplekset ndaj të kaluarës dhe të krenohet me të
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ermal Sadiku, ka bërë thirrje që partia e tij të çlirohet nga komplekset dhe të rikthejë fokusin te zhvillimi i Kosovës.
Në një shkrim në “Facebook”, ai ka renditur gjashtë pika që, sipas tij, paraqesin LDK-në që dëshiron ta shohë.
Sipas tij, LDK-ja duhet të çlirohet nga komplekset ndaj të kaluarës dhe të krenohet me të.
“LDK-ja ka qenë parti shtetformuese, shtetndërtuese dhe nismëtare e aleancave mbi të cilat qëndron Kosova edhe sot. Me këto aleanca e kemi fituar lirinë, e kemi shpallur pavarësinë dhe e kemi ndërtuar shtetin. Narrativa se “Kosova është shkatërruar pas luftës” nuk është vetëm e pavërtetë, është e dëmshme për të ardhmen e vendit. Kjo narrativë është ndërtuar për vite nga VV-ja, por fatkeqësisht është ushqyer edhe nga individë brenda LDK-së e PDK-së për përfitime afatshkurtra elektorale. Kosova pas luftës ka bërë gabime. Ka pasur korrupsion, keqqeverisje e dështime. Por nga një vend i shkatërruar nga lufta është bërë shtet i pavarur, me institucione, ekonomi, infrastrukturë dhe aleanca të fuqishme ndërkombëtare. LDK-ja duhet t’i mbrojë sukseset e Kosovës, jo t’i mohojë ato”, ka shkruar ai në pikën e parë.
Si pikë të dytë, Sadiku ka theksuar se LDK-ja duhet të ketë qëndrim të qartë për luftën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe mbrojtjen e Kosovës. Sipas tij, LDK-ja duhet të jetë forca që ndërton kapacitetin mbrojtës për gjeneratat e ardhshme.
Sadiku ka deklaruar se teknologjia, inovacioni, hulumtimi dhe zhvillimi duhet të bëhen prioritete kombëtare të kësaj partie për zhvillimin e shtetit.
Deputeti i LDK-së ka theksuar gjithashtu se partia duhet të merret me rininë jo vetëm gjatë fushatave.
Si pikë të pestë, ai ka përmendur një tjetër “kompleks” nga i cili, sipas tij, LDK-ja duhet të çlirohet, atë ndaj partive të tjera.
“Nuk mund ta ndërtojmë identitetin tonë duke menduar çdo ditë çfarë thotë VV-ja, çfarë bën PDK-ja apo me kë mund të bëjmë koalicion nesër. Një parti e madhe nuk ndërtohet kundër dikujt tjetër. Ndërtohet rreth një kauze. Dhe LDK-ja e ka kauzën para vetes: ZHVILLIMIN E KOSOVËS. Zhvillim ekonomik. Zhvillim teknologjik. Arsim. Siguri. Integrim euroatlantik. Shtet funksional. Mundësi për të rinjtë. Një Kosovë më moderne, më e pasur, më e sigurt dhe më e zhvilluar”, ka shkruar Sadiku.
Në pikën e fundit, Sadiku ka bërë thirrje që LDK-ja ta ruajë demokracinë e brendshme me çdo kusht, edhe kur kjo mund t’i kushtojë me vota.
“Po, demokracia e brendshme nganjëherë kushton. Krijon debat, prodhon mendime të ndryshme dhe ndonjëherë na bën të dukemi më pak unikë para publikut. Dhe pikërisht për këtë mund të sulmohemi nga autokratë si Kurti, që mendimin ndryshe nuk e shohin si vlerë, por si kërcënim. Por LDK-ja nuk duhet të bëhet si kundërshtari për ta mundur kundërshtarin. Për LDK-në dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen demokratike të Kosovës, mendimi ndryshe është vlerë. Është forcë. Është bukuri. Një parti ku të gjithë duhet të mendojnë si kryetari nuk është parti e fortë. Është parti e varur nga një njeri. LDK-ja duhet të jetë e kundërta: parti ku mund ta kundërshtosh kryetarin dhe prapë ta duash partinë; ku mund të humbësh një votim, por jo të drejtën për të folur; ku debati nuk konsiderohet tradhti dhe kritika nuk dënohet. Kjo kulturë duhet të ruhet me çdo kusht, edhe kur na kushton elektoralish. Sepse zgjedhjet mund t’i humbësh dhe t’i fitosh përsëri. Por nëse e humb demokracinë brenda partisë, ke humbur një pjesë të arsyes pse duhet t’i kërkosh qytetarit ta mbrojë demokracinë në shtet”, ka shkruar Sadiku.



