Vrau tre fëmijët e saj, por gjyqi ndaj Lindsay Clancy mbyllet pa vendim. Arsyeja

05 shtator 2026 | 23:14

Gjykimi ndaj Lindsay Clancy, nënës nga Massachusetts e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj të vegjël, ka përfunduar pa një vendim, pasi juria nuk arriti të binte dakord unanimisht për fajësinë e saj.

Gjykatësi William Sullivan shpalli të premten procesin të pavlefshëm, pasi juria e njoftoi për herë të tretë se kishte mbetur e bllokuar, raporton NBC News.

Vendimi erdhi pas një procesi që zgjati gati gjashtë javë dhe shtatë ditësh diskutime të jurisë.

Clancy ishte deklaruar e pafajshme për tre akuza për vrasje të shkallës së parë në lidhje me vdekjen e fëmijëve të saj, Cora, 5 vjeç, Dawson, 3 vjeç, dhe Callan, vetëm 8 muajsh.

Në qendër të procesit ishte pyetja nëse ajo ishte penalisht përgjegjëse për vrasjet apo nëse duhej të shpallej e pafajshme për shkak të mungesës së përgjegjësisë penale si pasojë e një çrregullimi mendor.

Mbrojtja argumentoi se Clancy vuante nga psikozë pas lindjes në kohën kur vrau fëmijët, më 24 janar 2023, dhe për këtë arsye nuk ishte penalisht përgjegjëse.

Avokatët pretenduan se gjendja e saj mendore ishte përkeqësuar gjatë muajve para ngjarjes dhe se, pavarësisht përpjekjeve për të kërkuar ndihmë psikiatrike, ajo nuk ishte diagnostikuar siç duhej.

“Kjo grua e re nuk është fajtore për vrasjen e fëmijëve të saj, sepse vuante nga një sëmundje dhe çrregullim”, deklaroi avokati i saj, Kevin Reddington.

Mbrojtja iu referua edhe dëshmisë së psikiatrit ligjor Phillip Resnick, i cili arriti në përfundimin se Clancy ishte në gjendje psikotike në momentin e vrasjeve.

Prokurorët paraqitën një version krejtësisht të kundërt. Ata argumentuan se Clancy ishte e vetëdijshme për veprimet e saj dhe i kishte planifikuar vrasjet.

Sipas akuzës, ajo e dërgoi qëllimisht bashkëshortin e saj të atëhershëm, Patrick Clancy, jashtë shtëpisë për të marrë ushqim dhe për të shkuar në farmaci, duke i krijuar vetes kohë për të vepruar.

Pas tre njoftimeve se nuk mund të arrinte një vendim unanim, juria nuk mund të vazhdonte më diskutimet dhe gjykatësi shpalli procesin të pavlefshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Turqia ka shpallur një zonë të kontestuar në Detin Egje…