Shpërthim në kazermën ushtarake në Bolivi

06 shtator 2026 | 09:54

Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në një kazermë ushtarake në Viacha, rreth 30 kilometra nga La Paz, në Bolivi.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 14:30 me kohën lokale, në një zonë ku ruheshin materiale piroteknike.

Dyshimet e para lidhen me rezervat e fishekzjarrëve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa shkaku i saktë i shpërthimit ende nuk është përcaktuar.

Drejtuesja e shëndetësisë në Viacha, Rita Nebraska, bëri të ditur për mediat lokale se numri i viktimave mund të shkojë nga 10 deri në 15 persona. Rreth 62 të tjerë kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një vajzë me djegie të shkallës së tretë.

Policia raportoi më shumë se 50 të plagosur, ndërsa dhjetëra banesa pranë kompleksit ushtarak janë dëmtuar. Shpërthimi ka shkaktuar edhe thyerjen e xhamave në banesa.

Në zonë janë dërguar ambulanca, ekipe mjekësore dhe forca policie për të ndihmuar të plagosurit dhe për të vlerësuar dëmet.

Zjarrfikësit kanë paralajmëruar se në kompleks vijon të ketë një burim nxehtësie, duke krijuar rrezik për një tjetër shpërthim. Për këtë arsye, banorëve u është kërkuar të qëndrojnë të paktën 150 metra larg kazermës.

Hetimet vijojnë për të përcaktuar shkakun e shpërthimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia ka njoftuar se të shtunën rreth orës 03:50, në…