Kurti takon ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, kërkon vazhdimin e mbështetjes për integrimin euroatlantik
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Kryeministri ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë, Åsa Pehrson, me të cilën, siç ka bërë të ditur, është takuar pas dy dekadash nga takimi i tyre i parë në Stokholm.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se e ka falënderuar ambasadoren Pehrson për mbështetjen që Suedia i ka dhënë Kosovës ndër vite.
“Pas dy dekadash nga takimi ynë i parë në Balkan Desk në Stokholm, u takuam sërish sot në Kryeministri me Åsa Pehrson, tash ambasadore e re e Suedisë në Prishtinë”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se Suedia ka qenë një vend mik i Kosovës dhe një prej donatorëve më të mëdhenj të vendit.
“Ambasadoren Pehrson e falënderova për të gjithë mbështetjen dhe kontributin që Suedia ka dhënë për vendin dhe popullin tonë, si para ashtu edhe pas çlirimit dhe pavarësisë”, ka shkruar Kurti.
Kurti ka përmendur edhe kontributin e Suedisë në kuadër të misionit të KFOR-it, duke thënë se rreth 9 mijë ushtarë suedezë kanë shërbyer në Kosovë që nga çlirimi.
“Si një vend mik i Republikës së Kosovës dhe një ndër pesë donatorët tanë më të mëdhenj, 9 mijë ushtarë suedezë që kanë kontribuar në kuadër të KFOR-it që nga çlirimi, Suedia u bë shtëpi e shumë familjeve shqiptare të Kosovës”, ka shkruar Kurti.
Në takim është diskutuar edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë. Sipas Kurtit, ai e ka njoftuar ambasadoren e re për zhvillimet në ekonomi, përparimin në fushën e drejtësisë dhe çështje të tjera, ndërsa kanë biseduar edhe për situatën politike në vend.
“Duke e uruar për marrjen e përgjegjësisë së re, ambasadoren Pehrson e njoftova për zhvillimet në ekonomi dhe përparimin në fushën e drejtësisë dhe në fushat e tjera, si dhe biseduam për zhvillimet politike aktuale në vendin tonë”, ka shkruar ai.
Kurti ka bërë me dije se ka kërkuar nga Suedia vazhdimin e mbështetjes për Kosovën në procesin e integrimit euroatlantik.
“Po ashtu kërkova vazhdimin e mbështetjes së Suedisë në rrugën tonë drejt anëtarësimit në institucionet euro-atlantike”, ka shkruar Kurti.



