Shtohet numri i policëve pranë Gjykatës Speciale
Gjykata Speciale në Hagë është në gatishmëri të shtuar në orët para shpalljes së aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Kryeredaktori i T7, Arsim Lani, i cili ndodhet në Hagë dhe po e përcjell nga afër zhvillimin e ngjarjeve, ka sjellë pamje nga terreni, ku shihet prani dhe mobilizim i shtuar i forcave policore pranë selisë së Gjykatës Speciale, ku sot pritet të shpallet vendimi.
Shpallja e aktgjykimit është caktuar për sot në orën 10:00, në një seancë publike.
Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit nisi në prill të vitit 2023 dhe përfundoi me deklaratat përmbyllëse në shkurt të vitit 2026. Katër ish-krerët përballen me akuza për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të dyshuara gjatë viteve 1998–1999. Ata janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.









