Kuvendi miraton me 99 vota deklaratën për aktgjykimin ndaj liderëve të UÇK-së

28 shtator 2026 | 12:58

Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, përmes së cilës shpreh mbështetje për krerët e UÇK-së, të cilët janë dënuar në shkallën e parë me gjithsej 81 vjet burgim.

Për këtë deklaratë kanë votuar 99 deputetë.

Deklarata është propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ndërsa teksti i saj është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare shqiptare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, gjatë seancës ka lexuar deklaratën, përmes së cilës Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për aktgjykimin e shkallës së parë, duke e konsideruar të papranueshëm konstatimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

“Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët”, ka thënë ajo.

Përmes kësaj deklarate, Kuvendi shpreh shqetësim edhe për mungesën e transparencës dhe pretendimet për shkeljen e standardeve të gjykimit të drejtë, si dhe kundërshton përgjegjësinë që, mbi bazën e përfundimit për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal, u është atribuuar secilit prej të akuzuarve.

Në deklaratë, Kuvendi u bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare. Po ashtu, kërkohet hartimi i një strategjie të përbashkët shtetërore, e cila do të përfshijë veprime juridike, institucionale dhe diplomatike.

Deklarata rikujton se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) erdhi si pasojë e represionit dhe krimeve të regjimit të Slobodan Millosheviqit. Aty theksohet edhe rëndësia e ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës dhe çlirimin e Kosovës, si dhe bashkëpunimi i saj me UÇK-në.

Gjithashtu, Kuvendi vlerëson se Dhomat e Specializuara kanë dalë jashtë mandatit për të cilin Kuvendi kishte pranuar themelimin e tyre.

Përmes deklaratës, Kuvendi kundërshton çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës ose për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare.

Në përmbyllje të deklaratës, Kuvendi zotohet të mbrojë pa kompromis të vërtetën e luftës çlirimtare, si dhe të drejtën e të dënuarve për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e kërkuara.

Deklarata e plotë:

DEKLARATË  PËR AKTGJYKIMIN E DHOMAVE TË SPECIALIZUARA NË HAGË NDAJ HASHIM THAÇIT, KADRI VESELIT, JAKUP KRASNIQIT DHE REXHEP SELIMIT

Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, në seancën plenare të mbajtur më 28.09.2026;

Duke kujtuar se liria dhe pavarësia e Kosovës janë fryt i një përpjekjeje të gjatë për dinjitet njerëzor, barazi dhe të drejtën e një populli për të vendosur vetë për të ardhmen e tij;

Duke rikujtuar se lufta e popullit për liri dhe pavarësi përmes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës lindi në rrethanat e represionit sistematik dhe krimeve gjenocidale të Serbisë, kur popullit të Kosovës po i mohoheshin të drejtat themelore dhe vetë mundësia për të jetuar i lirë në vendin e tij;

Duke njohur rëndësinë vendimtare të ndërhyrjes së NATO-s për ndalimin e dhunës ndaj popullit të Kosovës dhe për çlirimin e vendit.

Duke theksuar se asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën historike të luftës në Kosovë. Serbia ushtroi gjenocid e krime kundër njerëzimit; zhvilloi një fushatë të egër terrori dhe spastrimi etnik në Kosovë; masakroi civilë të pafajshëm, vrau fëmijë, gra e të moshuar, dhunë seksuale si armë lufte, dëboi me forcë popullsinë dhe dogji e shkatërroi fshatra e qytete të tëra. Këto krime ishin sistematike, pasojat e të cilave rëndojnë edhe sot mbi mijëra familje.

I bindur se respektimi i shtetit të së drejtës përfshin edhe të drejtën dhe përgjegjësinë për të kundërshtuar, me mjete ligjore dhe institucionale, një aktgjykim që vlerësohet i padrejtë;

Liria dhe pavarësia e Kosovës janë të lidhura ngushtë me sakrificën e brezave, me rezistencën politike dhe paqësore të udhëhequr nga Presidenti Ibrahim Rugova, me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe me mbështetjen vendimtare të aleatëve tanë perëndimorë, përfshirë NATO-n.

Miraton këtë deklaratë:

1. Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
2. Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
3. KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
4. Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
5. Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
6. KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
7. E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës të hënën, në…