‘Liria Ka Emër’ fton qytetarët në protestën e 1 tetorit: Të bashkuar kundër padrejtësisë
Përfaqësuesit e platformës qytetare “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli dhe Arbnora Zogiani, kanë mbajtur të mërkurën konferencë për media, një ditë para protestës “Jo në emrin tim”.
Në konferencë është bërë thirrje që qytetarët të bashkohen më 1 tetor, në orën 16:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të kundërshtuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Tasholli e ka cilësuar aktgjykimin të padrejtë dhe të papranueshëm, duke theksuar se ai, sipas tij, nuk mund të merret në emër të popullit të Kosovës.
“Kosova nuk e ka nisur luftën. Kosova nuk ka qenë agresori. Shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima të një regjimi që për vite të tëra ua kishte mohuar lirinë, të drejtat dhe dinjitetin”, ka thënë ai.
Sipas Tashollit, drejtësia duhet të vlejë për të gjithë, por, siç ka theksuar ai, nuk mund të jetë selektive dhe as të shkëputet nga e vërteta historike.
Ai ka thënë se reagimi qytetar ndaj aktgjykimit ka kaluar kufijtë e Kosovës, me protesta dhe mobilizim të shqiptarëve në Evropë dhe më gjerë.
Duke kujtuar protestën studentore të 1 tetorit 1997, Tasholli ka thënë se nesër, 29 vjet më vonë, qytetarët do të mblidhen sërish në Prishtinë për të kërkuar drejtësi.
Ai ka kërkuar gjithashtu veprim të menjëhershëm nga Qeveria dhe Kuvendi për shqyrtimin dhe procedimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“Institucionet duhet të përdorin çdo mjet juridik dhe shtetëror që është në dispozicion dhe në përputhje me ligjin, për mbrojtjen e të drejtave të të dënuarve dhe për të vazhduar betejën juridike deri në përfundimin e të gjitha procedurave”.
“UÇK-ja na bashkon! Nga studentët e vitit 1997 deri te qytetarët e sotëm, një gjë nuk ka ndryshuar: ne nuk e harrojmë lirinë, nuk e harrojmë sakrificën dhe nuk heqim dorë nga drejtësia”, ka deklaruar Tasholli.
Ndërsa Arbnora Zogiani i ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen protestës me familjarët, miqtë dhe kolegët e tyre, duke bërë të ditur se nga çdo qytet i Kosovës do të ketë transport të organizuar.
Ajo ka thënë se oraret dhe vendet e nisjes tashmë janë publikuar.
Zogiani ka falënderuar mediat për përcjelljen e aktiviteteve dhe për jehonën që u kanë dhënë zërit qytetar, ndërsa ka veçuar kontributin e diasporës në mobilizimin kundër aktgjykimit.
“Diaspora jonë edhe një herë po dëshmon se largësia gjeografike nuk do të thotë largësi nga Kosova”, ka thënë ajo, duke iu referuar protestave, tubimeve dhe aktiviteteve të organizuara nga bashkatdhetarët në Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të botës.
Në këtë vazhdë, Zogiani ka njoftuar se më 10 tetor në Bruksel do të mbahet protesta e radhës, e organizuar nga diaspora shqiptare, dhe ka ftuar bashkatdhetarët të marrin pjesë.



