Muhamet Mavraj: Hashim Thaçi është Ismail Qemali i Kosovës
Prijësi i protestave të 1 Tetorit 1997, publicisti Muhamet Mavraj e ka quajtur ish-kryeministrin Hashim Thaçi, Ismail Qemalin e Kosovës.
Ai në fjalën e tij në protestën e 1 tetorit tha se deshën apo s’deshën, nëpër shkolla do të mësohet emri i tij.
“Të dashur Baca Pjetër Shala dhe familja jote, i dashur Baca Jakup, i dashur Cal, i dashur Rexhë, i dashur Kadri, i dashur Ismail Qemali i Kosovës, Hashim Thaçi”.
“Pavarësisht nëse e duan apo nuk e duan, në shkolla do ta mësojnë emrin e Hashim Thaçit fëmijët e çlirimtarëve, por edhe fëmijë të tjerë. Dhe krejt çfarë duhet të kujdesen është se si e shkruajnë emrin tënd”.
Mavraj ka thënë se protestat e studentëve dhe qytetarëve, në periudha të rëndësishme të historisë së Kosovës, kanë bërë bashkë njerëzit, pavarësisht dallimeve politike e fetare.
Duke folur për protestat e vitit 1997, Mavraj tha se ato ishin pasojë e dështimit të politikës, ndërsa theksoi rolin e rinisë në reagimin ndaj situatave të tilla.
“Sa herë që kombi është në rrezik, do të dalim përmbi fe e përmbi parti. Sepse të parën parti e kemi shqiptarinë dhe të parën fe e kemi shqiptarinë. Në ’97-ën ka qenë pasojë e dështimit të politikës. Nuk ka qenë mania jonë për të dalë për të protestuar, por për këtë punë është rinia. Për këtë punë është edhe sot, për këtë punë do të jetë edhe nesër”, ka thënë ai.
Mavraj duke folur për zhvillimet e fundit në Hagë, ka theksuar se pavarësisht asaj që ka ndodhur, qytetarët duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të bashkuar.
“Kam menduar që 30-vjetori do të jetë më fitimprurës se ky. Por ja që ndodhi ajo që ndodhi atje në Hagë. Jemi këtu. Çka ka thënë Zoti, mirë se ka ardhur, e përballojmë edhe këtë. Por mos u gëzoni shumë ata që jeni gëzuar dhe mos u pikëlloni shumë këta që jeni hidhëruar, sepse jemi këtu”, ka shtuar ai.
Ai përmendi edhe protestat e vitit 1997 në shtatë qytete të Kosovës, duke thënë se ato mobilizuan një numër të madh qytetarësh dhe se zhvillimet e asaj kohe kontribuuan në forcimin e arsimit universitar pas luftës.
“Nuk ishte vetëm Prishtina. Shtatë qytetet e Kosovës kanë qenë në këmbë atë ditë, sepse në shtatë qendra kishim degë të Universitetit të Prishtinës dhe vetë Universitetin këtu. Një milion shqiptarë kemi qenë në këmbë atë ditë dhe miliona të tjerë anë e mbanë trojeve shqiptare e në diasporë. E këto shtatë qytete, kjo e djeshmja që po e mbrojmë sot, ndërtoi shtatë universitete”, ka deklaruar ndër të tjera Mavraj.
Në fjalimin e tij, Mavraj ka përmendur edhe zhvillimet pas luftës dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, duke folur për, siç tha ai, projekte që synonin dobësimin e shtetësisë së Kosovës.
Mavraj ka folur gjithashtu për ish-prokurorin Clint Williamson dhe raportin e tij pas raportit të Dick Martyt, duke iu referuar edhe një përvoje personale që tha se kishte pasur me të në vitin 2002.



