
21 fëmijë kanë ndërruar jetë nga uria dhe kequshqyerja në tre ditët e fundit
Drejtori i spitalit Al-Shifa në Gaza, Dr. Mohammed Abu Salmiya, ka deklaruar për BBC se 21 fëmijë kanë ndërruar jetë nga uria dhe kequshqyerja në të gjithë Rripin e Gazës gjatë 72 orëve të fundit.
Sipas tij, rreth 900,000 fëmijë në Gaza po përballen me uri, ndërsa 70,000 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë kequshqyerjeje.
“Po përballemi me një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme,” paralajmëron Dr. Salmiya, duke shtuar se pacientët me diabet dhe ata me sëmundje të veshkave janë në rrezik të lartë për shkak të mungesës së ushqimit dhe trajtimit mjekësor.
Përveç këtyre të dhënave, Ministria e Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, raporton se 15 persona të tjerë kanë vdekur nga uria dhe kequshqyerja vetëm në 24 orët e fundit.
Sipas këtij institucioni, numri total i vdekjeve nga uria ka arritur në 101, përfshirë 80 fëmijë.