
21 komuna zgjedhin kryetarët në rundin e parë, 17 të tjera shkojnë në balotazh
Nga 38 komunat e Kosovës, 21 kanë përmbyllur garën për kryetarë që në rundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor, ndërsa 17 komuna të tjera do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), disa nga fitoret janë shënuar në komunat e mëdha si në Ferizaj, Agim Aliu nga PDK ka fituar me mbi 56% të votave, duke siguruar mandatin e dytë.
Në Lipjan, Imri Ahmeti nga LDK ka fituar pa balotazh me mbi 51%.
Në Podujevë, Shpejtim Bulliqi nga LVV ka siguruar mbi 53% të votave.
Sami Lushtaku nga PDK ka arritur një fitore bindëse në Skenderaj me mbi 83% të votave.
Në Kamenicë, Kadri Rahimaj i LVV-së ka fituar me mbi 50%.
Ilir Ferati i LDK-së ka fituar në Istog me 58% të votave.
Në Shtime, Qemajl Aliu i LVV-së ka siguruar mandatin e dytë me mbi 50%.
Ekrem Kastrati i Nismës Socialdemokrate ka fituar Malishevën me mbi 53%.
Në Deçan, Bashkim Ramosaj i AAK-së ka fituar me mbi 51%.
Në Drenas, Ramiz Lladrovci, nga iniciativa “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, ka fituar me mbi 52% të votave.
Mehmet Ballazi i PDK-së ka fituar në Hanin e Elezit me mbi 50%.
Në Mamushë, Abdulhadi Krasniç i KDTP-së ka siguruar fitore me mbi 50% të votave.
Ndërsa në katër komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – fitues janë kandidatët e Listës Serbe, parti kjo që ka siguruar fitore edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.
Në 17 komuna të tjera gara do të vazhdojë në rundin e dytë, që do të mbahet më 9 nëntor 2025.
Sipas KQZ-së, pjesëmarrja në votime në nivel vendi ka qenë rreth 39%.