21 % më shumë aplikime nga azilantët nga Shqipëria

22 nëntor 2019 | 08:33

Ndonëse kanë normën më të lartë të refuzimit të kërkesave dhe jetojnë në një vend që nuk ka luftë apo konflikte etnike, asgjë nuk i ndal shqiptarët që të përplasen dyerve të Evropës si azilantë. Edhe në muajin shtator aplikimet për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Evropian kanë njohur rritje sipas të dhënave të publikuara nga Zyra e Mbrojtjes Evropiane për Azilantët. Gjatë periudhës janar-shtator numri i tyre u rrit për 21 % në krahasim me një vit më parë. Në total, për 9 muajt e parë të këtij viti kanë aplikuar për herë të parë edhe 15 469 shqiptarë të tjerë, ndërkohë që për të njëjtën periudhë të një viti më parë numri i aplikimeve ishte 12 835. Vetëm muaji shtator ka pasur 1 734 aplikime të reja, duke shënuar rritje prej 14 % në raport me muajin e kaluar.

Shqipëria renditet në 10 vendet kryesore të origjinës së azilkërkuesve në Evropë, së bashku me vende si Pakistani, Turqia, Iraku, Kolumbia, Irani dhe Nigeria, por vendi i vetëm evropian.

Edhe pse refuzohen, kërkesat rriten

Vetëm gjatë muajit shtator numri i përgjigjeve negative nga ana e autoriteteve ishte 1 321, ndërsa vetëm 57 kërkesave iu dha statusi i refugjatit. Autoritetet përkatëse në BE vlerësuan në shtator se vetëm 47 prej kërkesave duhet të përfitojnë azil. Kjo tregon normën e ulët të pranimeve të kërkesave nga shqiptarët. Aplikantët gjeorgjianë dhe shqiptarë kishin nivelin më të ulët të njohjes (përkatësisht 3 % dhe 6 %) midis 10 vendeve kryesore të origjinës, shkruhet në raportin mujor. Megjithatë, ka ndryshime në vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian në lidhje me nivelin e njohjes për të njëjtin vend origjine.

Në mesin e 10 vendeve të origjinës me numrin më të lartë të aplikimeve në janar-shtator 2019, aplikimet e paraqitura nga sirianët kishin nivelin më të lartë të pranimit dhe njohjes së kërkesës (86 %), të ndjekur nga aplikantët turq (53 %) dhe aplikantët afganë (48 %).

Ndërkaq, 12 680 raste janë në pritje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Bankës Qendrore të…