21 prokurorë presin dekretimin e përhershëm

01 shkurt 2021 | 17:14

Nga 22 janari i këtij viti, 21 prokurorëve të Kosovës u ka skaduar mandati fillestar prej tre vjetësh. Ndonëse pa riemërim nga presidenti, ata janë duke e vazhduar punën normalisht.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar vlerësimin pozitiv për vazhdimin e punës së tyre, por ushtruesja e detyrës e presidentit, Vjosa Osmani, ende nuk e ka bërë riemërimin apo dekretimin e përhershëm të tyre.

Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka mundur të tregojë nëse këta prokurorë kanë mandat për të punuar pa dekretim të presidentit.

“Këta janë prokurorë që janë dekretuar një herë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka konfirmuar vlerësimet pozitive për ta dhe, bazuar në këtë, pritet që në ditët në vijim të kemi konfirmimin e dekretimit të përhershëm”, ka bërë me dije Zyra për Informim e Këshillit Prokurorial të Kosovës për gazetën “Epoka e re”.

Kurse një prokuror në kushte anonimi ka thënë për gazetën se janë të shqetësuar për zvarritjen e riemërimit të tyre. “Nga data 22 janar jemi pa dekret, në të njëjtën kohë po vazhdojmë punët sipas detyrës zyrtare. Mosriemërimi natyrisht se na shqetëson në kryerjen e punës sonë”, ka thënë një nga këta prokuror.

Sipas Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, presidenti i Kosovës emëron dhe riemëron prokurorët. “1. Presidenti emëron dhe riemëron prokurorët bazuar në propozimet e Këshillit; 2. Presidenti, brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, pas pranimit të propozimit, nxjerr dekret për emërimin në detyrën e prokurorit të kandidatit të propozuar nga Këshilli. Nëse brenda këtij afati presidenti nuk e emëron prokurorin, Këshilli mund ta paraqesë edhe një herë tjetër kandidatin e propozuar së bashku me arsyetimin plotësues në formë të shkruar. Pas kësaj presidenti emëron prokurorin sipas propozimit të Këshillit”, thuhet në nenin 23 të këtij ligji.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka ka…