21 vite nga zhdukja e nënës së gjashtë fëmijëve, Habibe Mujota

07 maj 2020 | 23:44

Shkruan: Lulzim Sahiti

Ndonëse për shumëkënd në Kosovë, ngjarjet e dhimbshme të luftës kanë filluar të harrohen, këtë nuk po mund ta bëjë edhe 34-vjeçari Ylber Feriz Mujota  dhe familja e tij nga fshati Mollopolc i Shtimes.

Rrëfimi rrëqethës i të riut, që kishte parë me sytë e tij, mbytjen e nënës, rrahjen dhe burgosjen e qindra qytetarëve për të vetmen arsye sepse ishin shqiptar, tregon se edhe pas 21 viteve këtë ngjarje ende e ka të freskët. Megjithatë, edhe pse Ylberi asokohe ishe vetëm 13 vjeç nuk u mposht asnjëherë para sakrificave, por qëndroi i fortë përballë sfidave të jetës.

Qysh në fillim të muajit maj të vitit 1999, filloi intensifikimi i luftimeve të ashpra në mes të forcave armike dhe të UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes. Atë kohë, popullata civile detyrohet dy javë të qëndron në Grykë të Mollopolcit dhe më pas edhe dy javë tjera në Luginën e Topillës. Në natën e 11 majit, gjendja vinte duke u bërë gjithnjë e më e rëndë. Nga çasti në çast, situata ndryshonte dhe rrezikohej popullata civile që ishte rreth 20 mijë veta. Nisur nga ky fakt, me rekomandim të Komandës së UÇK-së filloi tërhiqja graduale e popullatës nga zona e luftimeve drejt Luzhakut.

Ylberi rrëfimin e tij e nis duke treguar se si në Grykë të Topillës, i kishte mbetur traktori pa lëndë djegëse. Falë bacës Ahmet Mujota, i cili ia kishte dhënë 3 tasa të gjalpës me naftë, ka arritur të shkojë deri në Shqipëri, mirëpo gjatë gjithë rrugës tregon se kishte pasur frikë se do të mbeste në gjysmë të rrugës. Po ashtu, në Luginën e Topillës, Ylberit i kujtohet si sot një ngjarje e dhimbshme, ajo e  mbrëmjes së 11 marsit. Hysen Murtezit nga Mollopolci i kishte rrëshqitur traktori pa drita dhe ia kishte thyer dy këmbët me rimorkio resë së vet, gjegjësisht gruas së dëshmorit Abedin Murtezit, i rënë dëshmor një javë më parë, më 5 maj 1999 në Betejën e Kosharës.

Atij ende i kujtohet se si atë natë, aeroplanët e NATO-s kishin bombarduar forcat serbe në fshatin Devetak, ndërsa në mëngjesin e hershëm të 12 maj 1999 pak pa u zdritur, dikund rreth orës 5:00 të mëngjesit aeroplanët e NATO-s kishin gjuajtur te Kodra e Gështenjave në Shtime, sa gjëmimet e predhave i kishin zgjuar nga gjumi. Nga bombardimi që ndodhi, flaka kishte shkuar në qiell në një lartësi rreth 50 metra. Nuk kishin kaluar as 15 minuta dhe sërish ishte gjuajtur në të njëjtin vend, tregon Ylberi.

Nuk ka zgjatur shumë kohë, tregon Ylber Mujota rreth orës 7:00 nga Luzhaku jemi nisur në kolonë (baba, nëna, kunata, një grua e xhaxhait, një djalë dhe një vajzë e xhaxhait) duke shkuar gjithnjë rrugës së asfaltuar nëpër Petrovë për t’u dorëzuar në duar të policisë serbe. Të gjithë kemi menduar se do të na vrasin pa përjashtim. Gjatë rrugëtimit nga qetësia që mbretëronte, dëgjohej edhe miza nga fluturonte. Askush nuk bënte zë. Kështu rreth orës 11:00 – 12:00 kemi mbërri te policia serbe e vendosur te Lagjja e Azem Hajdarëve, mu te çezmja. Aty kanë qenë rreth 20-30 policë duke na pritur. Na zbritnin të gjithëve nga traktori me rimorkio, e cila ishte e mbuluar me najlon. Na kontrollonin detajisht veç e veç.

Shiqonin pa bërë zë në rimorkio dhe na urdhëronin të nisemi drejt Shtimes. Aty kam parë duke i ndalë të gjithë meshkujt e moshës madhore prej 18 – 50 vjeçar. Pra, të gjithë meshkujt e moshës mesatare janë torturuar fizikisht dhe burgosur. Pleqtë, gratë dhe fëmijët janë liruar për të vazhduar rrugën. Ai kishte parë se si policia serbe kishte ndarë nga kolona kusherinjtë e tij: Kemajl Rexhep Mujota, Ramush Avdyl Mujota, Bafti Selman Mujota, Maliq Behlul Mujota, Azem Rizah Mujota, Mustafë Sefë Mujota, Lejlije Mustafë Mujota, Zyhrie Mustafë Mujota, Abaz Mustafë Mujota, Muharrem Nebih Mujota e të tjerë. Në këtë vend, atë ditë ishin ndaluar edhe shumë qytetarë tjerë, por Ylberi nuk i kishte njohur.

Gjatë kësaj kohe, sa ishim te lagjja e Azem Hajdarëve, përballë nesh tek Kodra e Gështenjave kam parë, thotë Ylberi, një pincgauer ushtarak duke u lëshuar tatëpjetë rrugës prapa të cilit shkonin disa gra serbe, të cilave u dëgjohej zëri duke vajtuar. Sipas të dhënave serbe, më 11 maj 1999 nga bombardimet e NATO-s është goditur pozicioni i Ushtrisë Jugosllave te Kodra e Gështenjave, jo shumë larg nga qyteti i Shtimes. Me këtë rast, është vrarë Slavisha Milorad Stoshiq (1960), nga Nishi, reservistë i Ushtrisë Jugosllave, gjegjësisht pjesëtar i Brigadës së Blinduar 211 në Nish.

Pas përfundimit të kontrollit të rreptë serb, shprehet Ylberi, kolona e refugjatëve shqiptarë udhëzohet të vazhdojë rrugëtimin drejt Shtimes. Kur kemi mbërri te rruga magjistrale Shtime – Prizren, në oborrin e shkollës “Emin Duraku” kemi parë njerëz të shtrirë përtoke, të cilët i sillte policia serbe nga Lagjja e Azem Hajdrëve. Oborri i shkollës ishte shndërruar në kamp tmerri, ku ishte mbushur përplotë me civilë shqiptarë, të cilët rriheshin e torturoheshin pa asnjë mëshirë nga policia serbe.

Këtu tek magjistralja, kolona me refugjatë urdhërohet të vazhdojë rrugën e gjatë për Shqipëri. Fillimisht na ndalën para Entit Special. Aty na i kanë marrë emrat dhe mbiemrat dhe numrin e anëtarëve që kanë qenë në rimorkio, tregon Ylberi. Mandaj, sërish na urdhërojnë vazhdimin e rrugëtimit. Në kolonë të gjatë ka pasur traktorë, qerre me kuaj, motokultivator, vetura të vjetra të tipit “Lada”, “Askona” e të tjerë. Gjatë rrugëtimit të tyre, vëreheshin fytyrat e shokuara të refugjatëve, të cilët po largoheshin në kolonë të gjatë të traktorëve dhe karrocave nga dheu i stërgjyshërve të tyre, shpesh për të mos u kthyer më asnjëherë. Në Carralevë te “Varri i Partizanit”, kemi tentuar te çezmja me mbush një shishe me ujë, por ushtria serbe nuk na lejoi duke na thënë në gjuhën serbe “Bezhi” (Ik). Gjithashtu, gjatë udhëtimit tonë kemi parë ushtarë serbë në Qafë të Duhlës e Prizren, të cilët qarkullonin kryesisht me pinzgauer, autoblinda, praga etj.

Dikur pasdite kur kemi mbërri në fshatin Duhël, përkatësisht në hyrje të Suharekës, kemi takuar familjen e Ilaz Murtezit nga Dremjaku i Ferizajt, të cilët ishin ndalur meqë iu kish prish goma e madhe e traktorit. Tre policë, kishin filluar me i ndalë traktorët që ishin me më pak anëtarë të familjes me qëllim për t’i marrë edhe ata të familjes nga Dremjaku. Tre traktorë para meje ishin përplotë, ndërsa unë kisha më pak anëtarë dhe më ndalën mua. Polici serb, shqip fliste bukur. Më urdhëroi të ndalem në anën e majtë të rrugës që të çonte për Prizren, ndërsa në anën e djathtë ishte familja rreth 20 anëtarëshe nga Dremjaku. Polici që e fliste rrjedhshëm gjuhën shqipe, më tha: “Leje krrabën e merre rimorkion e traktorit matanë rrugës” e kishte fjalën për rimorkion e familjes nga Dremjaku, meqë me atë kishte mundësi me i bartur të gjithë. Me thënë të drejtën, unë hezitoja nga frika që kisha dhe po i themë: “Unë nuk di me e vozitë traktorin mbrapa”. Polici më bërtiti: “Si nuk di, me çka ke ardhur deri këtu?” Po i përgjigjem: “Po di, por vetëm përpara”. Atëherë, ky polic më zbriti në tokë dhe mori vet traktorin, të cilin e lidhi me rimorkion e familjes nga Dremjaku. Ne filluam bartjen e pak gjërave që kishim me vete: shiqerin, miellin, dyshekët, jorganët për t’i vendosur në rimorkio që ishte matën rrugës, gjegjësisht në anën e djathtë. Baba (Ferizi) ka qenë i pari duke trupuar rrugën, unë pas tij (Ylberi), kurse nëna (Habibja) pas meje, e cila ka pasur një dyshek në duar dhe nuk e ka vërejtur një automjet ushtarak të blinduar që vinte me shpejtësi të madhe nga Prizreni.

Duke kapërcyer asfaltin, atë e godet për vdekje automjeti i blinduar, të cilën e ka gjuajtur në ara nja 20-30 metra. Nga goditja, i kishte plasur gjaku nga veshët, hundët dhe goja. E dita që më nuk shpëton, thotë Ylberi. Kërkuam nga policia një letër që të na lejojnë varrosjen e saj. Nuk na lejuan. Ushtari serb që goditi për vdekje nënën tonë ishte pak sa në moshë u ndal dhe dukej se i erdhi keq për rastin që kishte ndodhur, mirëpo pas një kohe vazhdoi rrugën e vet. Policia e thirrën autoambulancën, e cila ishte e tipit “Lada” me një vozitës serb. Baba tentoi të shkonte me autoambolancë, por policia kurrsesi nuk lejoi.

Letërnjoftimin e nënës e kërkuan dhe ia dhamë vozitësit të autoambolancës. Neva na urdhëruan të ecim tutje, kurse për nënën na thanë se po e dërgojnë në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Atje kur kemi mbërri jemi munduar me thye rrugën për të hyrë në spital por nuk na lejuan me dalë nga kolona. Në Prizren, qytetarët shqiptarë na kanë dhënë ushqim nga dyçanet e tyre mirëpo policia bërtitnin ecni më shpejt. Nja dy-treqind metra pa hyrë në kufi, kemi parë disa policë në gjendje gatishmërie, të cilët na kanë ndalë dhe kërkonin para. Një vajzë e zbritën nga rimorkio dhe ia prenë fanelën me thikë mu në gjokës. Me sa vërejta, babai i saj, ua dha 100 marka gjermane dhe e liruan vajzën. Në Shqipëri kemi mbërri në ora 20:15 në Kamp, ku na kanë dhënë batanije dhe tenda. Në Shqipëri kemi qëndruar pesë javë, në Kukës, në një kazermë të vjetër ushtarake të ushtrisë shqiptare. Bile edhe për atë, thotë Ylberi kemi paguar qira. Kur jemi kthyer në Kosovë, kemi shkuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, të cilët na treguan se nëna kishte jetuar edhe dy orë pas aksidentit, mirëpo nga plagët e rënda që kishte marrë kishte ndërruar jetë, tregon me pikëllim të thellë Ylberi.

Thuhet se atë e kishin varrosur disa romë në varrezat e qytetit në Prizren, mirëpo asnjëherë familja nuk ka arritur të gjejë vendvarrimin e saj. Domethënë, Habibe Shyqeri Mujota (1949), nënë e gjashtë fëmijëve ende figuron në listën e personave të pagjetur të Kosovës, gjë që dëshirë e vetme e familjes është të gjejnë eshtrat e saj, për të pasur të paktën një vend për bërë homazhe e përkujtuar të ndjerën që kishte humbur jetën tragjikisht.

(S.Z / ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara ka hedhur poshtë…