
21-vjetori i themelimit të PDK-së, Veseli: Reformat do ta rikthejnë PDK-në fitimtare në garat e ardhshme zgjedhore
Sot Partia Demokratike e Kosovës (PDK) shënon 21-vjetorin e themelimit.
Me ketë rast, kryetari i saj, Kadri Veseli, ka uruar për këtë përvjetor anëtarët dhe mbështetësit e saj.
“Në këtë ditë të shënuar, urime të veçanta i dërgoj themeluesve të partisë, të cilët hodhën hapat e parë të kësaj organizate politike në kushte shumë të vështira”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
“Padyshim nderimet më të mëdha i takojnë qytetarëve të Kosovës, që i kanë besuar partisë sonë dhe që vazhdojnë ta shikojnë atë si garanci të konsolidimit të pavarësisë, të zhvillimit të ekonomisë e demokracisë si dhe të orientimit Euro-Atlantik të Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Veseli.
Postimi i plotë i Veselit:
Në këtë përvjetor të 21-të të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kam nderin dhe kënaqësinë që të uroj përzemërsisht të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e saj kudo ku ndodhen. Në këtë ditë të shënuar, urime të veçanta i dërgoj themeluesve të partisë, të cilët hodhën hapat e parë të kësaj organizate politike në kushte shumë të vështira. Po ashtu përulem me mirënjohje të thellë për të gjithë ata që kanë kontribuar në sukseset e partisë sonë, por që sot nuk janë më mes nesh. Padyshim nderimet më të mëdha i takojnë qytetarëve të Kosovës, që i kanë besuar partisë sonë dhe që vazhdojnë ta shikojnë atë si garanci të konsolidimit të pavarësisë, të zhvillimit të ekonomisë e demokracisë si dhe të orientimit Euro-Atlantik të Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës i ka prirë proceseve më të rëndësishme të vendit dhe ka luajtur një rol protagonist në rindërtimin e pasluftës, në shpalljen e pavarësisë dhe në ndërtimin nga e para të institucioneve shtetërore. Ajo vazhdon të kontribuojë për vendin si parti opozitare shëmbullore konstruktive që ngre lartë zërin për interesat e qytetarëve dhe vë para përgjegjësisë e kërkon llogari nga qeveria, në mënyrë që ajo të përmbushë siç duhet detyrat e saj. Ndërkaq partia jonë vazhdon reformat e saja të brendshme që se shpejti do ta rikthejnë fitimtare në garat e ardhshme zgjedhore.
Në pamundësi për të festuar bashkë për shkak të pandemisë, ju uroj të gjithëve në distancë: Gëzuar ditëlindjen e Partisë Demokratike të Kosovës!