
22 kuaj qëllohen me armë gjahu në Parkun Kombëtar të Vlorës: Dyshohet për konkurrencë mes guidave turistike
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në zonën e Llogarasë, pranë “Gropave të Pirit”, ku 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu në rrethana ende të paqarta. Pamjet dhe dëshmitë nga vendngjarja flasin për një akt të rëndë dhune ndaj kafshëve të pambrojtura.
Sipas banorëve të zonës dhe aktivistëve, 4 kuaj kanë ngordhur menjëherë, disa të tjerë janë plagosur rëndë dhe kanë nevojë për trajtim veterinar, ndërsa pjesa tjetër është fshehur në pyjet e Karaburunit dhe ende nuk është gjetur.
Dyshimet e para lidhen me një konflikt të mundshëm mes operatorëve të guidave turistike në zonë, ku mendohet se konkurrenca e ashpër mund të ketë çuar në një akt të tillë ekstrem. Gjithashtu nuk përjashtohet mundësia që autorët të jenë gjahtarë të paligjshëm, të cilët kanë vepruar pa kontrollin e autoriteteve.
Aktivistët për mbrojtjen e kafshëve kërkojnë masa ligjore të rrepta për të parandaluar akte kaq mizore.