22 OJQ dënojnë sulmet e Alban Krasniqit të VV’së ndaj gjyqtarëve, kërkojnë nga Kurti që të ndalen ato
22 organizata joqeveritare kanë dalë me një reagim të përbashkët, ku dënojnë ashpër “denigrimin e vazhdueshëm që u bëhet gjyqtarëve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përmes përfaqësuesit të saj, Alban Krasniqi, në Komisionin Qendror Zgjedhor”.
Këto OJQ kanë kërkuar nga Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera.
“Më 9 nëntor, Krasniqi ka publikuar një status në llogarinë e tij në Facebook, në të cilin fyen dhe denigron gjyqtarët e gjykatave dhe Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me fjalë poshtëruese. Kjo sjellje ka për qëllim të dëmtojë kredibilitetin e sistemit gjyqësor, të nxisë publikun të përdorë diskurs negativ ndaj gjyqtarëve dhe të krijojë klimë armiqësore ndaj tyre. Ne kërkojmë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti që menjëherë të ndalojë sulmet ndaj sistemit gjyqësor dhe pushteteve tjera, siç janë mediat dhe organizatat e shoqërisë civile, sa herë që nuk pajtohet me to.”
Tutje thuhet se e vetmja formë e kundërshtimit të vendimeve gjyqësore është përmes apelimit të tyre.
“Ne u rikujtojmë anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, e sidomos atyre që njëkohësisht ushtrojnë funksione publike, se e vetmja formë e kundërshtimit të vendimeve gjyqësore është përmes apelimit të tyre. Një gjë e tillë është e paraparë edhe me Rekomandimin CM/Rec (2010)12 të Këshillit të Europës për gjyqtarët: pavarësinë, efikasitetin dhe përgjegjësitë, sipas të cilit: “Nëse komentohen vendimet e gjyqtarëve, ekzekutivi dhe legjislativi duhet të shmangin kritikën që do të nënvlerësonte pavarësinë apo besimin në gjyqësor. Ata duhet të shmangin gjithashtu veprimet që mund të vënë në pikëpyetje vullnetin e tyre për të zbatuar vendimet e gjyqtarëve, përveç rasteve kur shprehin qëllimin e tyre për të apeluar vendimin.”
Organizatat që kanë reaguar:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD)
Lëvizja FOL
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Instituti Musine Kokalari
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK)
Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK)
Flutura Kusari, aktiviste
Iniciativa për Proges (INPO)
Iniciativa e të Rinjëve për të Drejtat e Njeriut(YIHR)
Qendra per Barazi dhe Liri (CEL Kosova)
KMDLNj
KIPRED
SHL-Kosova- Rahovec
Instituti i Prishtinës për Studime Politike (PIPS)
QIKA
Fourth Wave
Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë
OMM Gjethi
Organizata ÇOHU!
OJQ Pishtarët
K-W4W
Qendra per Zhvillimin e Grupeve Shoqerore (CSGD)



