‘2+2 s’bëjnë 5’, mbrojtja e Veselit kundërshton ZPS-në: S’ka asnjë element të paligjshëm në sjelljen e tij
Mbrojtja e Kadri Veselit ka hedhur poshtë pretendimet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke theksuar se nuk ekziston asnjë provë e drejtpërdrejtë që e lidh atë me veprat penale që pretendohen në aktakuzë.
“ZPS nuk mund të thotë që 2 plus 2 bëjnë pesë. Megjithatë, ndonëse ata e mohojnë të vërtetën, e vërteta është mungesa e provave që pretendojnë përfshirjen e Veselit në veprime kriminale”.
“Mungesa e provave, natyra rrethanore e argumenteve të ZPS-së dhe sjellja e jashtëzakonshme e prokurorisë tregojnë se nuk ka asnjë argument kundër Veselit”, ka thënë avokati Rodney Dixon gjatë seancës së sotme.
Mbrojtja ka paralajmëruar se në ditët në vijim do t’i kundërpërgjigjet në detaje pretendimeve të prokurorisë.
“Do t’i zbërthej në hollësi parashtrimet e ZPS-së, me paragrafë dhe do të sjellë shembuj konkretë të deklaratave të pabazuara. Do t’u përgjigjem argumenteve të prokurorisë të hënën dhe të martën. Nuk ekziston asnjë provë e dorës së parë që tregon përfshirjen e Veselit në veprat penale që pretendohet se ka kryer”, ka thënë avokati.
Sipas mbrojtjes, ZPS-ja është mbështetur në prova dytësore dhe siç është thënë, “nuk ka gjetur asnjë dëshmitar të vetëm” që do të vërtetonte pretendimet.
“Pas gjithë kësaj kohe të vijë në gjykatë dhe të pretendojë se Veseli ka kryer krime, nuk mund ta bëni sepse nuk ekzistojnë. Ky është një fakt befasues”, ka thënë Dixon.
Ndër të tjera, avokati ka thënë se Veseli përmendet rreth 260 herë në dosjen përfundimtare të ZPS-së, por sipas mbrojtjes, “asnjë prej tyre nuk tregon ndonjë element kriminal apo të paligjshëm në sjelljen e tij”.
“Gjithçka që ka kryer ka qenë legjitime”, ka thënë Dixon.



