
24 vjet nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe, Krasniqi: Faleminderit përgjithmonë!
Sot shënohet 24 vjetori i fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi, të cilat, për 78 ditë gjunjëzuan kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq dhe aparatin e tij kriminal.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se kjo ndërhyrje, e cila erdhi si rrjedhojë e përpjekjeve, kërkesës dhe rezistencës së popullit tonë për liri, përfshirë luftën e drejtë dhe të guximshme të UÇK-së, i dha fund një regjimi gjenocidal duke hapur epokën e ëndërruar të lirisë për ne.
“Ky kapitull, kjo shpresë e re, ndihmoi çlirimin, pavarësinë dhe krijimin e shtetit tonë. Prandaj, u jemi përjetësisht mirënjohës aleatëve tanë ndërkombëtarë, shteteve anëtare të NATO-s, të cilat 24 vite më parë realizuan këtë mision fisnik dhe humanitar. Faleminderit – dje, sot, nesër, përgjithmonë!”, ka shkruar Krasniqi në “Facebook”.