Klubet e Kosovës mbushin “bateritë” në Shqipëri dhe Turqi

22 janar 2020 | 12:08

Disa prej klubeve janë zhvendosur në Turqi dhe Shqipëri për t’i vazhduar përgatitjet për sezonin pranveror. Një gjë të tillë e kanë paralajmëruar edhe disa klube të tjera, kurse trajneri Bylbyl Sokoli e vlerëson pozitive përgatitjen jashtë vendit për faktin se fitojnë përvojë nga zhvillimi i ndeshjeve miqësore.

Klubet elitare të Kosovës në futboll vazhdojnë të preferojnë Shqipërinë dhe Turqinë për t’i kryer fazat përgatitore. Tashmë disa prej dymbëdhjetë klubeve të Superligës janë zhvendosur në këto dy vende për t’i mbushur “bateritë” për sezonin pranveror, kurse edhe klubet e tjera kanë paralajmëruar se shumë shpejt do të zhvendosen jashtë Kosovës. Klubi kampion vjeshtor i Superligës, Ballkani, është vendosur në Antalia, ku edhe ka zhvilluar disa ndeshje miqësore. Të martën klubi i drejtuar nga Ismet Munishi, luajti baras 3-3 ndaj Jagiellonias së Polonisë. Skuadra nga Suhareka është duke u përgatitur maksimalisht për pranverë ku synon triumfin në të dy frontet, kampionat dhe Kupë. Në Turqi është vendosur tashmë edhe skuadra e Prishtinës, e cila, sikurse Ballkani, ka ambicie shumë të mëdha për sezonin pranveror.

Klubi “bardhekaltër” në Antalia, përveç përgatitjeve, ka planifikuar të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore ku sot (mërkurë) përballet me Ardan (Bullgari), kurse më 26 janar do të luajë me Kolon (Ukrainë), derisa dy ditë më vonë zhvillon miqësoren ndaj skuadrës nga kategoria e dytë e Rusisë, Chertanovo. Kryeqytetasit ndeshjen e fundit e zhvillojnë më 30 janar kundër Ordabasy të Kazakistanit. Përgatitjet në Antalia po i zhvillon edhe pretendentja tjetër për titull, Gjilani. Kjo e fundit e ka zhvilluar një miqësore ndaj Neftchi Kochkor (1-0), kurse sot (e mërkurë) e zhvillon miqësoren e dytë ndaj Yenisey Krasonyarsk nga Rusia.

Paralajmërimin se do të vazhdojnë përgatitjet në Turqi i kanë bërë edhe Feronikeli dhe Drita nga Gjilani. Ndërsa Shqipërinë deri tash për përgatitje e kanë zgjedhur Llapi dhe Dukagjini i Klinës. Skuadra që drejtohet nga Tahir Batatina të martën ka zhvilluar miqësoren e radhës ndaj Tërbunit, të cilën e ka fituar me rezultat 2-4. Të papërcaktuara deri më tash dhe që nuk kanë bërë asnjë njoftim zyrtar se ku do t’i zhvillojnë përgatitjet janë klubet si Trepça ’89, Drenica, Vushtrria, Ferizaj dhe Flamurtari. Duhet cekur se të martën një ndeshje miqësore e zhvilluan Trepça ’89 dhe Drenica, ku fituese doli skuadra mitovicase (3-2). Trajneri i njohur në Kosovës dhe profesori Bylbyl Sokoli ka thënë se zhvillimi i fazave përgatitore jashtë është një plus i madh për klubet për faktin se do të fitojnë përvojë. “Shumica dërrmuese e klubeve janë duke u përgatitur në Antalia të Turqisë. Kjo do të thotë se buxheti i tyre është më i mirë dhe ky është një plus i madh për skuadrat kosovare. Skuadrat do të marrin përvojë jashtë vendit me anë të ndeshjeve miqësore”, ka thënë Sokoli.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me rastin e 22-vjetorit të sulmit të dytë të forcave…