25 zotimet e Kurtit për mandatin e ri qeverisës

08 shtator 2025 | 08:57

Kryeministri në detyrë Albin Kurti është votuar unanimisht nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje si mandatar për formimin e qeverisë së re.

Në mbledhjen e 59 të këtij organi, Kurti prezantoi 25 zotime dhe një sërë programesh të reja që do të jenë boshti i mandatit të ardhshëm qeverisës.

“Mandatin e ri do ta mbushim me projekte madhore që e thellojnë progresin dhe e lartësojnë republikën tonë”, tha Kurti në fjalën e tij, duke shtuar se Vetëvendosje e kërkon mandatin e tretë sepse “ne e dimë se çka duam, sepse ne e duam popullin”.

Ndër projektet kryesore të paralajmëruara janë: nisja e valutës digjitale të Kosovës, ndërtimi i një Kulle të Teknologjisë në kryeqytet dhe programi “Anembanë” për një rrjet të integruar të transportit publik në gjithë territorin.

Për ekonominë, Kurti njoftoi krijimin e një Banke Zhvillimore me fond prej 1 miliard euro për prodhim e biznese dhe investime deri në 500 milionë euro për transformimin e Brezovicës në destinacion modern turistik.

Në aspektin social, Kurti premtoi skemë të re për gjyshërit që kujdesen për nipat e mbesat, duke shtuar se “secila gjyshe apo gjysh pensionist që përkujdeset për nipa e mbesa të moshës prej 13 deri 36 muaj, kur prindërit punojnë, do të marrin 100 euro shtesë çdo muaj”.

Ai theksoi gjithashtu se paga minimale do të rritet mbi 500 euro dhe nuk do të tatohet.

Në arsim e shëndetësi, Kurti u zotua për zgjerimin e bursave për studentë, përfshirë edhe ata në universitete private, për përfshirje universale të fëmijëve 5-6 vjeç në ciklin parafillor, ndërtimin e spitaleve të reja në Mitrovicë e Ferizaj, si dhe rritjen e buxhetit për barnat esenciale deri në 100 milionë euro.

Në sektorin e energjisë, Kurti paralajmëroi ndërtimin e pesë digave të reja dhe modernizimin e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Kurti vendosi theks të madh edhe tek infrastruktura rrugore e hekurudhore.

“Synimi ynë është që investimet kapitale të kalojnë 1 miliard euro në vit”, tha ai, duke përmendur ndërtimin e hekurudhës Prishtinë–Durrës, rrugës Prizren–Tetovë, autostradës Prishtinë–Gjilan me vazhdim deri tek Dheu i Bardhë, autostradës Duhël–Shtime–Banullë, rrugës së Dukagjinit që lidh Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën, Deçanin me Pejën e Istogun, si dhe rrugëve Deçan–Plavë e Pejë–Rozhajë.

Po ashtu, Kurti njoftoi se do të finalizohet edhe ndërtimi i Portit të Thatë.

Sa i përket sigurisë, ai tha se për ushtrinë do të ndahen mbi 1 miliard euro brenda mandatit të ardhshëm dhe paralajmëroi zhvillimin e dronëve ushtarakë “Made in Kosova”.

Një tjetër objektiv madhor mbetet integrimi evropian. “Qëllimi ynë është që deri në vitin 2030 të kemi përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt e BE-së, drejt anëtarësimit të plotë”, deklaroi Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën në Serbi janë mbajtur marshe të mbështetësve të…