250 vjet më parë lindi Beethoveni

16 dhjetor 2020 | 08:51

Më 16 dhjetor të vitit 1770, në Këln lindi Ludwig van Beethoven, kompozitor e pianist, figurë e rëndësishme në tranzicionin midis epokave klasike dhe romantike të muzikës, i cili mbetet nga më të famshmit dhe më me ndikim i të gjithë kompozitorëve.

Veprat e tij më të njohura janë 9 simfoni, 5 koncerte për piano, 32 sonata dhe 16 kuartetet, si dhe muzikë dhome, vepra korale dhe këngë.

Beethoven shkoi në Vjenë në vitin 1792; studioi për muzikë, dhe shpejt fitoi reputacion si pianist virtuoz. Në Boston, më 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” duke mbrojtur argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Noli, i njohur si republikan dhe antimonarkist, thotë se kompozimet më të dobëta të Beethoven-it janë ato të krijuara në Vjenë gjatë periudhës perandorake, kur kompozonte me kontratë për princër e perandorë, thjesht për para.

Biografët thonë se Beethoven-i ishte tërhequr nga idealet e Iluminizmit. Në vitin 1804, kur ambiciet perandorake të Napoleonit u bënë të qarta, Beethoven i fshiu fjalët e përkushtimit për Bonapartin nga simfonia e tretë; më vonë ai ndryshoi edhe titullin (Simfonia heroike për të festuar kujtimin e një njeriu të madh), dhe ia ripërkushtoi atë mbrojtësit të tij, Princit Jozef Franz von Lobkowitz, në pallatin e të cilit simfonia e tretë u interpretua për herë të parë.

Beethoven jetoi në Vjenë deri në vdekje (1827). Në dekadën e fundit të jetës ai u bë thuajse krejtësisht i shurdhër; u tërhoq nga jeta publike, por vazhdoi të kompozonte. Kritikët thonë se shumë nga veprat e tij më të admiruara vijnë pikërisht nga kjo periudhë nën ndikimin perandorak./Top Channel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, ka thënë se lideri i…