255 mln euro për 41 km| BE financon autostradën Muriqan-Lezhë

25 tetor 2023 | 23:29

Shqipëria përgatitet për të marrë fondet dhe financimet për ndërtimin e aksit rrugor Muriqan-Lezhë.

Si pjesë e autostradës adriatiko-joniane e cila do të kalojë në vendin tonë në 318 km, ky aks i parë i projektit do të jetë 41 km dhe do të ketë dyfishim të korsive ekzistuese. Janë parashikuar gjithashtu 8 kryqëzime, 23 nënkalime dhe 8 ura.

Projekti parashikon që rruga të ndërtohet sipas standardeve të kategorisë A, me shpejtësi 120 km/h. Gjithashtu një rrugë dytësore dhe shërbimi prej 24,1 km do t’i shtohen projektit për t’i ardhur në ndihmë mjeteve të transportit industrial dhe bujqësor, si dhe për të siguruar komunikimin midis dy anëve të autostradës.

Kostoja totale e projektit vlerësohet të jetë 225 milionë euro, nga të cilat 128 milionë janë kredi e ofruar nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), 100 milionë janë grante të aplikuara nga qeveria Shqiptare nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor dhe 30,3 milionë do të paguhen nga buxheti.

Gjithashtu Shqipëria ka marrë një grant prej 1,6 ml euro për vlerësimin e ndikimit mjedisor dhe social të projektit, paraprakisht për të analizuar kosto-përfitimet e autostradës Muriqan-Balldren.

Si pjesë e projektit Europian TEN-T për rrjetin interkontinental të akseve rrugore me rëndësi strategjike, ky korridor do mundësojë lidhjen e Europës me Ballkanin Perëndimor.

Korridori adriatiko-jonian, i cili do kalojë nga Trieste në Itali e deri në Kalamate të Greqisë, do të jetë afërsisht 1,500 km. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, rruga do të kalojë përmes Malit të Zi në 110 km dhe Shqipërisë në 315 km. Segmenti që përkon në vendin tonë zë 20% të projektit total dhe sipas të dhënave, së bashku me ato të Malit të Zi, infrastruktura e rrugëve ekzistuese parashikohet të rindërtohet gati 70% nga e para.

Në vendin tonë, projekti pritet të kalojë në akset Muriqan, Balldren, Milot, Thumanë, Kashar, Lekaj, Konjat, Bypass-in e Fierit, Levan, Poçem, Memaliaj, Subash, Bypass-in e Gjirokastrës dhe përfundon në Kakavijë.

Projekti ndahet në 13 segmente, nga të cilët 5 do të rindërtohen kurse 8 të tjera do të kthehen në kategorinë A me shpejtësi 120 km/h.

Afati i përfundimit të projektit do të jetë në vitin 2029 sipas BE-së.Euronews.al.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti Sadri Ramabaja tha se ka ekspertë të sigurisë që…