
26 vende bien dakord të dërgojnë trupa në Ukrainën e pasluftës
26 vende janë gati të dërgojnë trupa në Ukrainë si pjesë e një force sigurie ose të ofrojnë ndihmë në tokë, në det ose në ajër si pjesë e garancive të ardhshme të sigurisë, ka njoftuar presidenti francez, Emmanuel Macron.
Presidenti francez ka përsëritur se trupat ndërkombëtare nuk do të vendosen në zonat e kontaktit, por “në zonat gjeografike që aktualisht po përcaktohen”.
“Kjo punë operative tani duhet të formalizohet në nivele politike dhe ligjore në mënyrë që garancitë e sigurisë të mund të zbatohen shpejt kur të arrihet një armëpushim ose një marrëveshje paqeje”, ka thënë Macroni.
Disa vende do të kërkojnë që parlamentet e tyre të miratojnë kontributet që duan të japin, shkruan “Euronews”.
Nuk u dhanë detaje se çfarë do të kontribuojë secili vend, megjithëse Macroni ka konfirmuar se Italia dhe Gjermania ishin midis 26 vendeve.
Polonia ka përjashtuar publikisht dërgimin e trupave tokësore në Ukrainë.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Keir Starmer, ka thënë se mirëpriti njoftimet nga disa partnerë “për të furnizuar raketa me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë për të forcuar më tej furnizimet e vendit”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka përshkruar numrin e vendeve të gatshme të marrin pjesë në forcën e sigurisë pas luftës si një “fitore”.
“Ne po mbështetemi në një marrëveshje mbrojtëse nga ShBA-ja”.
“Kontributi i saktë amerikan do të specifikohet në ditët në vijim”, ka thënë ai.