26 vjet nga Beteja e Marecit

18 prill 2025 | 13:16

26 vjet nga Beteja e Marecit (18-23 prill 1999)

Kujtim nga Shemsi Syla

Në Betejën e Marecit u përfshinë në luftime dy zona operative: Zona Operative e Llapit me Brigadën 153 dhe Zona Operative e Karadakut me Brigadat 171, 172 dhe 173.
Në këtë betejë armiku synonte ta shpartallonte efektivin e UÇK-së që kishte nën kontroll tërë Malësinë e Gollakut. Për këtë qëllim kishte angazhuar numër shumë të madh të ushtarëve dhe teknikë luftarake. Shtabi i Zonës së Karadakut ishte i vendosur në lagjen Hajdaraj të Marecit, ndërsa Brigada 153 e ZOLL ishte e vendosur në Zllash.
Forcat serbe, duke shfrytëzuar motin e ligë dhe mjegullën, në mëngjesin e datës 18 prill, filluan ofensivën në shumë drejtime, duke u përpjekur që të rrethojnë plotësisht brigadat e UÇK-së. Forcat serbe, pozicioneve të UÇK-së u amësynë nga të katër anët: në lindje sulmuan nga Artana e Kalaja e Artanës, në jug nga Prekovci, Llabjani, Llajsheci, Slivova, nga Mukata, Mramori, Butoci, në perëndim dhe në veri: nga Grashtica, Makoci, Keqekolla e Prapashtica.
Luftimet filluan në Kukaj, ku forcat serbe ndeshën me luftëtarët e Brigadës 153 të ZOLL. Në këto luftime mbetën të vrarë disa ushtarë serbë, kështu që forcat serbe u detyruan të tërhiqen për një kohë dhe i filluan bombardimet e pozicioneve të UÇK-së me tërë forcën e zjarrit të artilerisë që kishin në dispozicion. Lufta përhapet shpejt edhe në pozicionet tjera të UÇK-së dhe Malësia e Marecit shndërrohet në arenë luftimesh të përgjakshme. Luftimet u zhvilluan edhe në afërsi. Angazhimi i drejtpërdrejtë i komandës dhe i komandantit, në vijën e parë të frontit, u dha zemër luftëtarëve, të cilët luftonin me heroizëm të pashoq dhe disa herë sprapsën armikun gjatë përpjekjeve të tij për të marrë pikat strategjike në fushëbetejë. Qëndresa e luftëtarëve të lirisë ishte e pathyeshme. Armiku pësoi humbje shumë të mëdha në njerëz dhe në teknikë luftarake, sidomos në vijën Viti-Gërbesh, ku gjetën vdekjen dhjetëra ushtarë serbë. Edhe luftëtarët e Brigadës 153, si Plaku, Mejdi Asllani, po e tronditnin armikun, duke i dhënë grusht të fortë që e detyruan, megjithë makinerinë, të sprapsej. Në luftime të ashpra plagoset Agmir Zejnullahu – Bujanoci dhe ushtari Korabi, por plagë më të rënda, vdekjeprurëse, mori Majori Muharrem Ibrahimi, ushtaraku i përvojës e dijes, shembëlltyrë i urtësisë dhe inteligjencës. Njeriu, i cili mbante luftën në vijat e frontit pa u lëkundur në pushtimin e majave të pikës. Copat e granatës e goditën kur po ia thoshte këngës, duke u dhënë zemër bashkëluftëtarëve. Me përpjekje mbinjerëzore, shokët e tërheqin nga vendi i plagosjes duke e dërguar në shtab, ku iu dha ndihma e parë. Nga plagët kishte humbur shumë gjak, gjendja iu kishte keqësuar, prandaj duhej nisur për në spitalin ushtarak. Megjithë përpjekjet e bëra, Majori ndërron jetë. Për të gjithë ushtarët, shembëlltyra e Majorit mbetet një kujtim i përhershëm, i cili edhe para vdekjes qëndronte i fortë.
Në këtë betejë u vra edhe Shaip Pacolli, i cili atë ditë u bashkua me ushtarët e UÇK-së për të rezistuar me trimëri deri në momentin e rënies heroike. Krisma e pushkëve të tij iu kishte dhënë fuqi ushtarëve të UÇK-së. Ai kishte depërtuar thellë në zonën e armikut dhe kishte luftuar me heroizmin e trimave malësorë të Marecit heroik.
Gjatë tërë betejës, ushtarët e UÇK-së ishin të detyruar të kujdeseshin edhe për mbrojtjen dhe furnizimin me ushqim të popullsisë, e cila ishte zhvendosur nga Prishtina në Malësinë e Marecit. Në këtë kohë, në Malësinë e Marecit ndodheshin 80 mijë banorë të Prishtinës dhe të fshatrave përreth. Nga paniku i shkaktuar gjatë luftimeve dhe lufta speciale e armikut, një pjesë e madhe e popullsisë ia mësyen Prishtinës. Armiku i tërbuar nga humbjet që kishte pësuar në përballje me UÇK-në, në fshatrat në hyrje të Prishtinës, Makoc e Grashticë, i ndanë nga kolona e të zhvendosurve dhe në mënyrën më mizore i masakruan 153 vetë…
Në gjirin e atdheut ranë dhjetëra dëshmorë nga të dy zonat. Nga Zona e Karadakut ranë edhe:
Besnik Maroca (Syla), shembulli më brilant i heroizmit. Ai, me të dëgjuar për vrasjen e shokëve, nuk pranon më të jetojë, del hapur duke shtënë në drejtim të armikut, rafalet e të cilit e godasin për vdekje. Në kujtesën e shokëve mbetet simbol i heroizmit dhe sakrificës.
Ibrahim Uruçi (Hushi), që në tetëvjeçare ishte i angazhuar në veprimtarinë kombëtare. Ishte një ushtarak i lindur. Ai po i printe kolonës kur u ndesh përballë me armikun; në shkëmbim të të shtënave bie në fushën e nderit.
Jahir Bahtiri, trim i maleve të Vërbicës së Zhegocit, heroizmi i tij mbetet frymëzim për nxënësit e tij, të cilët i braktisi kur i bëri thirrje atdheu.
Musli Ymeri (Fatosi), i shpejtë si vetëtima, kudo që kishin nevojë shokët, ai ishte në krah të tyre. Në një nga këto akte të heroizmit të tij, plumbat e godasin për vdekje, studentin që kishte lënë mësimin për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut.
Njëzet e dy dëshmorë ranë në këtë betejë nga Zona e Llapit. Ndër ta edhe Heroi i Kombit Isa Kastrati, figura më emblematike dhe më konsekuente e luftës për atdhe. Gjithë rrugëtimi i tij jetësor përmbyllet lavdishëm me rënien e tij, duke vulosur me gjakun e tij betimin e hershëm, që kishte dhënë 30 vjet më parë. Brigada 172 e Zonës Operative të Karadakut vazhdon luftën deri në çlirimin përfundimtar, duke bartur me krenari emrin e tij.
Në Betejën e Marecit ranë: 27 luftëtarë dhe 16 nga popullata civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjykata Themelore në Prishtinë- kolegji shqyrtues i gjyqtarëve, ka refuzuar…