27 vjet më parë plagoset, i shërohet plaga dhe pas 6 muajsh bie heroikisht në betejën e Jeshkovës

04 shtator 2025 | 12:59

Me datën 2 shtator 1998, janë bërë 27 vjet nga plagosja e Heroit Bashkim Suka, Bashkimi i shëron plagët, riaktivizohet në luftë dhe bie heroikisht në betejën e Jeshkovës, më 11 mars 1999.

Plagosja e Heroit të Kosovës Bashkim Suka. Bashkimi plagoset nga copat e predhave serbe, që ia dëmtojnë pjesën e poshtme të barkut dhe të shpinës. Në momentet kur plagoset Bashkimi, afër tij qëndronte edhe shoku i tij, Fatmiri, i cili po ashtu ishte i plagosur rëndë, madje më rëndë se Bashkimi. Kështu, Fatmiri dhe Bashkimi, duke ndihmuar njëri-tjetrin e mbajnë veten gjallë dhe ecin në drejtim të fshatit Hoqë e Qytetit. Policia me orë të tëra kishte granatuar mbi ta. Gjatë rrugës ata hynë në një shtëpi të zbrazur, aty pushojnë për disa kohë. Gjatë rrugës takojnë disa ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët i marrin dhe i dërgojnë në një shtëpi në fshatin Hoqë e Qytetit. Në atë shtëpi ishin të vendosura disa motra medicionale, një mjek dhe një stomatologe, të cilat ishin të gatshme që ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës t’ua jepnin ndihmën e parë emergjente mjekësore. Mjekët, Bashkimit i premtojnë se do të shërohej shpejt. Komandant Ekrem Rexha (Drini) u premton ndihmën për transport dhe shërim të mëtutjeshëm në Prizren. Por, meqenëse kjo ishte e pamundur, bisedon me mjekët për operimin e Bashkimit dhe të Fatmirit. Mjekët refuzojnë në pamundësi të sigurimit të mjeteve mjekësore, ndërsa komandant Ekrem Rexha (Drini) iu thotë mjekëve që t’i operojnë me aq sa kishin mundësi. Bashkimi e porosit një vajzë me të cilën njihet aty, Valbonën, që të mundohej ta gjente një mënyrë transporti, madje përkundër plagëve të rënda ai mendonte se mund të vozis vetë veturën për t’ia shpëtuar jetën mikut të tij, Fatmirit, i cili tani më kishte dhembje të mëdha dhe po humbiste shumë gjak. Në pamundësi të gjetjes së transportit për Fatmirin, ai vdes, duke u përjetësuar përgjithmonë në përkrenaren e altarit të atdheut. Vdekja e Fatmirit ishte një dhimbje e madhe për Bashkimin, të cilin e kishte mbajtur tërë kohën në krah. Fatmiri ndërron jetë rreth orës tre të ditës.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
SHKRUAN: NAZMI JUSUFI Zgjedhja e kryetarëve të komunave nuk është…