27-vjetori i bombardimeve, Hamza: Krerët e UÇK-së po trajtohen sikur të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e NATO-s
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar 27-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë.
Hamza e ka cilësuar atë si një moment vendimtar që ndali masakrat dhe krimet sistematike të regjimit të Sllobodan Millosheviqit ndaj popullit shqiptar.
“Bota intervenoi për t’i ndalur masakrat, ndërsa çdo vit kjo datë shërben për të nderuar heronjtë, dëshmorët dhe martirët e luftës, si dhe për të falënderuar të gjithë ata që qëndruan në anën e së vërtetës”, ka shkruar Hanza në “Facebook”.
Ai ka rikujtuar gjithashtu bashkëpunimin mes NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përmendur figura kyçe të luftës si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët, sipas tij, ishin aleatë tokësorë të NATO-s.
“Bombardimet e NATO u koordinuan edhe me UÇK-në, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe bashkëluftëtarët e tyre, aleatët tokësorë të NATO-s, të cilët sot po gjykohen në Hagë dhe po trajtohen sikur kurrë të mos kishte ekzistuar arsyeja për ndërhyrjen e Aleancës Veriatlantike”.
“Ne nuk harrojmë. Ne nderojmë. Dhe mbi të gjitha, vazhdojmë ta mbrojmë lirinë që u fitua me shumë sakrificë. NATO, faleminderit përjetësisht!”, ka shkruar Hamza.



