27-vjetori i masakrës së Belegut, Osmani: 46 civilë u ekzekutuan brutalisht veç pse ishin shqiptarë
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka kujtuar 46 civilët e masakrës së Belegut.
Osmani ka thënë se ata janë ekzekutuar dhe masakruar brutalisht vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre.
“Më 29 mars 1999, në oborrin e një shtëpie në Beleg të Deçanit, forcat policore, ushtarake dhe paramilitare të regjimit gjenocidal të Serbisë ndanë burrat dhe të miturit nga gratë, një akt i paramenduar çnjerëzor që i parapriu krimit mizor. 46 civilë shqiptarë u ekzekutuan dhe u masakruan brutalisht, vetëm pse ishin shqiptarë, vetëm pse kërkonin të jetonin të lirë në tokën e tyre”, ka thënë Osmani në 27-vjetorin e kësaj masakre.
Osmani ka thënë se në këtë përvjetor, përulemi me nderim para jetëve të ndërprera padrejtësisht dhe ndaj dhimbjes së familjeve që ende mbajnë plagët e asaj dite.
“Kujtimi për ta është zotim që këto krime të mos harrohen kurrë dhe që drejtësia të triumfojë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të rënët për liri!”, ka theksuar Osmani.



