27-vjetori i masakrës së Krushës së Madhe, Osmani: Ishte krim me paramendim

26 mars 2026 | 11:56

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në tubimin përkujtimor kushtuar 27-vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe.

Ai ka thënë se masakra në Krushë të Madhe ishte krim me paramendim dhe se ishte e planifikuar nga  Serbia.

Osmani ka thënë se tragjedia në këtë fshat nuk përfundon vetëm me këtë masakër. Osmani, përmendi edhe 64 banorë të Krushës të cilët figurojnë ende në listat e te zhdukurve.

“Ky ishte një krim me paramendim. Kjo ishte një masakër e planifikuar. Ishte një akt i qëllimshëm për të shuar jetë, për të shuar kujtesë, për të shuar vetë ekzistencën e banorëve të këtij fshati. Ishte një përpjekje për të shfarosur shqiptarët nga tokat e tyre. Por tragjedia nuk përfundon këtu. Edhe sot 64 banorë të Krushës së Madhe figurojnë ende në listat e të zhdukurve me dhunë. Janë plagë të hapura, janë mungesa të papërshkrueshme që rëndojnë çdo ditë mbi familjet e tyre në radhë të parë, por edhe mbi ndërgjegjen tonë si komb e si shtet, dhe histori të ndërprera që presin akoma drejtësi. Në mesin e këtyre plagëve të hapura qëndron edhe fati ende i pazbardhur i Ukshin Hotit, intelektualit të papërsëritshëm, mendimtarit të guximshëm dhe zërit që asnjëherë nuk pranoi të nënshtrohej. Ai ishte një figurë politike dhe akademike që artikuloi lirinë si të drejtë dhe si domosdoshmëri. Zhdukja e tij me dhunë mbetet një nga plagët më të thella të kësaj historie, një padrejtësi që nuk është shuar me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani, ka theksuar se përballë tragjedisë, Krusha e Madhe nuk është thyer.

“Megjithatë përballë tragjedisë me të cilën u përball, Krusha e Madhe nuk u thye. Nga kjo dhimbje e pamasë u ngritën gra që dëshmuan se jeta është më e fortë se vdekja. Një prej tyre është Fahrije Hoti, një grua që e ktheu dhimbjen në forcë, humbjen në qëndresë, dhe lotin në punë e në dinjitet. Ajo, sikurse edhe të gjitha gratë e Krushës, dëshmuan se mbijetesa nuk është vetëm të jetosh, por të ringrihesh, të ndërtosh, dhe të mos dorëzohesh kurrë, e mbi të gjitha të vazhdosh çdo ditë të punosh për drejtësi”, ka thënë Osmani, duke shtuar se “Krusha e Madhe sot është dëshmi e kësaj force, një dëshmi që e pa e gjithë bota me sytë e vet”.

27 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Rahovecit nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa 893 shtëpi private dhe shoqërore janë djegur.

Masakra në Krushë të Madhe është më e madhja që ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999. Ende vazhdojnë të jenë të pagjetur edhe shumë persona nga ky Krusha e Madhe./EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) riafirmoi rolin e tij…