28 vjet nga fillimi i aksionit për Pajtimin e Gjaqeve në Ferizaj

26 shkurt 16:37

Janë bërë 28 vjet kur me nismën e Anton Çetës kishte nisur në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, i cili pati marrë përmasa të gjëra, duke u përhapur anembanë vendit.

Në ceremoninë e organizuar në Ferizaj në kujtim të këtij aksioni, është thënë se viti 1990 konsiderohet si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar, i cili ka hyrë në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar.

Ish-veprimtari i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve në komunën e Ferizajt, Ismajl Hasani, ka thënë se në atë kohë, njerëzit në krye me Anton Çetën, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për t’u bërë miq e vëllezër.

Ndërsa nënkryetari i komunës së Ferizajt, Naim Ferati, ka thënë se gjatë ecjes kanë parë se fundshekulli i kaluar ishte plot sfida. “Ky aksion ishte i mundimshëm, por rezultatet e tij ishin që kombi dhe populli ynë të stabilizohet, të kuptojë çka është vëllavrasja, çka është hakmarrja e çka falja”, ka thënë Ferati.

Në anën tjetër, rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Agron Bajraktari, ka thënë se viti 1990 shënon një lëvizje të madhe në historinë e shqiptarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kombëtares është gati. Armando Sadiku do të jetë…