28 vjet nga sulmi i dytë i familjes Jashari, Abaz Jashari tregon për herë të parë bisedën me bacën Shaban

22 janar 2026 | 18:40

Më 22 janar 1998 kishte ndodhur sulmi i dytë ndaj familjes Jashari në Prekaz. Ky sulm i policisë së Serbisë ndaj familjes së Shaban Jasharit kishte ndodhur plot 6 vjet pas atij të 30 dhjetorit të vitit 1991.

Abaz Jashari, i cili gjatë luftës triditore në Prekaz, 5, 6 dhe 7 të vitit 1998 kishte arritur të dilte i gjallë nga rrethimi i hekurt i ushtrisë dhe policisë së Serbisë, ka treguar për herë të parë një bisedë që kishte zhvilluar me bacën Shaban Jashari më 22 janar të viti 1998.

Jashari në një shkrim në “Facebook” ka shpalosur detaje të pathëna deri me tani në lidhje me bisedën me babanë e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari.

Abaz Jashari ka treguar se si baca Shaban e kishte njoftuar se si i kishte sulmuar policët e Serbisë në mëngjesin e 22 janarit të 1998.

Po ashtu, Jashari ka treguar edhe për pengun që atë ditë kishte baca Shaban Jashari.

“I shpreha admirimin tim për trimërinë dhe rezistencën që kishte treguar, por fjalët e mira ishin të varfra në krahasim me heroizmin e tyre. Pas fjalëve të mia, vazhdoi baca Shaban: ‘Vetëm një gjë po me mbetet merak’. E pyeta për çfarë po i mbeste merak dhe ma ktheu: ‘I kam mbushur 74 vjet dhe nuk e pata fatin që në pleqërinë time të vdisja duke mbrojtur pragun e shtëpisë’”, ka treguar Abaz Jashari, të cilit më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 i kanë rënë në altarin e lirisë, babai, vëllai dhe gjyshja.

Postimi i plotë:

Në kujtim të 22 janarit 1998

Të dashur miq, dua ta ndaj me ju një bisedë që kisha zhvilluar me bacën Shaban Jashari në ditën kur kishte ndodhur sulmi i forcave serbe ndaj familjes së tij më 22 janar të vitit 1998.

Baca Shaban u nis në drejtim të kullës dhe unë u nisa pas tij. Ishte hera e parë që po hynte në kullë për të par se çfarë kishte ndodhur.

Ai hyri brenda dhe shikimin e mbante të ngulitur në dritare. Për një çast mbizotëroi qetësia nga ana e tij!

Pastaj filloi të me fliste: “E more bac, gjatë gjithë sulmit sytë i kam pasur në këto dritare, këta djem: Fitimi, Besimi dhe Kushtrimi mbrëmë kanë ndenjur zgjuar deri vonë dhe herë pas here shikonin nga dritaret për ta parë a kishte ndonjë lëvizje. Nuk isha i sigurt nëse i kishin mbyllur roletat e dritareve. Frikësohesha se sapo të fillonte sulmi do të ma hidhnin ndonjë bombë dorë nga dritarja e do t’i vrisnin nipat. Isha i gatshëm. Të hidhesha mbi bomba vetëm t’i shpëtoja ata. Kam pritur një kohë derisa i dëgjova kur e thyen derën e kullës poshtë për të hyrë brenda. Dola të dera dhe i qëllova me automatik, duke i kthyer mbrapsht. E zbraza një karikator të terë mbi ta. Pastaj e ndërrova edhe një herë karikatorin dhe vazhdova t’i vëzhgoja. Tentuan edhe një herë të hynin dhe i ktheva përsëri mbrapsht. Më pas filluan të ndaleshin krismat e mëdha, por unë qëndroja në gjendje gatishmërie. Nga frika se mos po ktheheshin prapë”.

I shpreha admirimin tim për trimërinë dhe rezistencën që kishte treguar, por fjalët e mira ishin të varfra në krahasim me heroizmin e tyre.

Pas fjalëve të mia, vazhdoi baca Shaban: “Vetëm një gjë po me mbetet merak”.

E pyeta për çfarë po i mbeste merak dhe ma ktheu: “I kam mbushur 74 vjet dhe nuk e pata fatin që në pleqërinë time të vdisja duke mbrojtur pragun e shtëpisë”.

Këto fjalë sa emocionuese ishin edhe frymëzuese për mua. Dhe vetëm pak javë më vonë, baca Shaban, komandanti legjendar, Adem Jashari, familja Jashari dhe komplet lagja jonë luftuan për tri ditë dhe tri në atë që në historinë tonë njihet si “Epopeja e UÇK”-së.

Lavdi familjes Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë thirrje publike për…