30 ditë paraburgim ndaj njërit të dyshuar për sulmin terrorist në Banjskë

25 shtator 2023 | 23:01

Gjykata Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj V.T., i dyshuar për pjesëmarrje në sulmin kundër Policisë së Kosovës, të dielën në fshatin Banjskë të Zveçanit.

Sipas njoftimit, seanca dëgjimore për të dyshuarin në fjalë është mbajtur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku edhe është i shtrirë për trajtim ai.

Ai dyshohet për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë dhe kryerjen e veprave terroriste.

“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ( QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS-së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK-së dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i rastit në veri, Naim Abazi, ka thënë pelegrinët…