
30 orë rrugë për një orë protestë, këta janë shqiptarët që nuk durojnë më padrejtësi
Shkruan: Sali Bislimi
Një natë para manifestimit, të gjithë ishim në një vend, në hotelin Leonardo në Hagë.
Pas arritjes sime në Hagë, shkova në dhomë për pak pushim, por dritaret e hapura dhe zërat shqip nuk më lanë të pushoja. Si i përgjumur, zbrita poshtë dhe dëgjova këngë me tone të larta. M’u duk diçka si një natë dasme; miq nga të gjitha trojet shqiptare, nga Shkodra, Hasi, Drenica dhe e gjithë Kosova, kishin filluar të recitojnë vargjet e Fishtës, këngët e lirisë, me urime që dita e nesërme të ishte pa shi. Një kohë e ftohtë me zemra të nxehta, sepse nesër ishte protesta.
Nga të gjitha vendet e Evropës, duke kënduar këngët për Hashimin, Kadrin, Bacin, Jakupin, Rexhen, sepse nesër ishte edhe dasma e tyre. Ndoshta kishin menduar që i kemi harruar, por jo – mund të humbim rrugët, por jo destinacionin. Nata vazhdoi deri në mëngjesin e hershëm; në atë lloj atmosfere askush nuk dinte kush po pinte dhe kush po paguante.
Aty nga mesi i natës ishim të uritur dhe po shkonim diku. Gjetëm një pakistanez me lokal hapur, u futëm brenda, donim diçka se nuk mund të flejmë, nuk na merrte gjumi.
Pasi morëm pak bukë e djathë, shikojmë nga dritarja, koha ishte e ligë. Si të shkonim në hotel? Ishim 15 veta. Njëri aty tha: “Unë dola, nuk jam sheqer, më shkri.” Dhe pas tij edhe ne.
Arritëm në hotel të lagur, këmba këmbës. Prapë aty, tek oxhaku, një zjarr me flakë pa dru. U ngrohëm pak dhe akoma flisnin të gjithë, sikur nuk kishin gjumë. Malli për të folur për atdhe na kishte kapluar si të ishim të burgosur. Kënga dhe recitimet vazhduan deri në mëngjes.
U zgjova aty kah mesdita, dola në ballkon. Ishim të rrethuar me flamuj, burra, gra, vajza për UÇK. Skena të tilla nuk i ke askund. Njerëz të ardhur nga katër anët, në zemrat e tyre mes këngëve kishin vetëm një dëshirë: Liri çlirimtarëve, stop padrejtësisë.
Flisja me veten time: “O Zot, ky popull nuk tradhton.” Të gjithë më njihnin; dy pika lot pashë në fytyrën time.
Qytetarët e Hagës nuk kuptonin çfarë kishte ndodhur me Shqipërinë — 15 mijë njerëz në rrugët e tyre, bllokadë totale. Nga vijnë këta njerëz? Nuk përgjigjeshin në asnjë gjuhë.
Kur shoh shqiptarë duke dasht për ti thyer barrierat e gjykatës, o Zot, ku është forca e tyre? Cila është dhimbja e tyre? Për Hashimin, për UÇK-në, i duam të lirë.”
30 orë rrugë për një orë protestë, këta janë shqiptarët që nuk durojnë më padrejtësi.
Zoti është me ne, sepse ne jemi në anën e drejtë të historisë! UÇK!
