30 vjet nga gjenocidi, boshnjakët nderojnë viktimat e Srebrenicës mes plagëve ende të hapura

11 korrik 2025 | 14:39

Mijëra boshnjakë janë mbledhur të premten në varrezat pranë Srebrenicës për të përkujtuar 30-vjetorin e masakrës së vitit 1995, ku mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë boshnjakë ishin ekzekutuar nga forcat serbe të Bosnjës më 11-12 korrik 1995.

Ky përkujtim shënon një nga krimet më të rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ku rreth 1000 viktima mbeten ende të pazbuluara, ndërsa shumë familje kanë zgjedhur të varrosin edhe vetëm disa kocka, për t’i dhënë të afërmve një vend pushimi të denjë.

Dihet se përgjegjësit kryesorë të masakrës, gjenerali Ratko Mlladiq dhe udhëheqësi politik serb Radovan Karaxhiq, janë dënuar për gjenocid nga Tribunali i Kombeve të Bashkuara në Hagë.

“Reuters” ka raportuar se si pjesë e përkujtimit të këtij viti, rreth 7 mijë  persona kanë marrë pjesë në Marshin e Paqes, një udhëtim tre-ditorë prej 100 kilometrash në drejtim të kundërt të rrugës që ndoqën burrat boshnjakë për t’i shpëtuar vdekjes.

Dy gjykata ndërkombëtare kanë vendosur se ngjarjet në Srebrenicë përbëjnë gjenocid, por udhëheqësit serbë në Bosnjë dhe në Serbi ende kundërshtojnë këtë term, numrin e viktimave dhe versionin zyrtar të ngjarjeve. Kujtojmë edhe se, ky mohim vazhdon të ushqejë ndarjet politike dhe pengon integrimin e Bosnjës drejt Bashkimit Evropian.

Vitit të kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e ka shpallur 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, duke nxitur organizimin e përkujtimoreve zyrtare në shumë vende të botës.

“Kjo nuk mund të harrohet kurrë. Kush mund të thotë se kjo nuk ishte gjenocid? Vetëm dikush pa shpirt”, ka thënë Sabaheta për “Reuters”, një nga të mbijetuarat e masakrës.

Kujtojmë se, Masakra e Srebrenicës, e njohur ndërkombëtarisht si akt gjenocidi, ndodhi në një zonë që ishte shpallur “zonë e sigurt” nga OKB-ja dhe ishte e mbrojtur nga një kontigjent holandez prej 370 trupash paqeruajtëse, të cilët dështuan ta parandalonin masakrën.

Edhe pse më pas, ShBA-ja dhe NATO kanë reaguar me sulme ajrore për të frenuar më tej përshkallëzimin e konfliktit, raporti i Human Rights Watch i vitit 1999 ka kritikuar vonesat dhe dështimet e forcave ndërkombëtare, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mbrojtjes humanitare perëndimore.

Në shënimin  e 30-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Massimiliano Allegri, Giorgio Furlani dhe Igli Tare kanë qenë të…