
31 zyrtarë policorë u suspenduan nga puna për pesë muaj
Për një ditë janë suspenduar nga puna dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Më 19 maj një polic nga Drenasi dhe një police nga Gjakova janë suspenduar nga puna pasi kanë vepruar kundër parimeve udhëzuese dhe udhëheqëse të Policisë.
Por për këtë arsyeje, për pesë muaj, janar-maj janë suspenduar 31 zyrtarë policorë.
Lajmin e kanë bërë me dije nga Policia e Kosovës në një përgjigje për “Indeksonline”. Sipas të dhënave, tanimë 11 prej zyrtarëve policorë u është ndërprerë suspendimi.
“Referuar pyetjes suaj lidhur me numrin e suspendimeve gjatë këtij viti (janar-maj aktual) sipas të dhënave janë suspenduar 31 personel policorë, 11 prej tyre i’u është ndërprerë suspendimi”, është thënë në përgjigjen e policisë.
Sipas policisë “arsyet e suspendimit janë për shkak se veprimet/mosveprimet e tyre kanë qenë në kundërshtim në veçanti me Ligjin e Policisë dhe aktet tjera nënligjore për të cila konsiderohen shkeljet të rënda disiplinore”.
Ndërkohë, zyrtarja policore nga Gjakova është suspenduar dy ditë më parë për shkak se kishte bërë gjeste të pahijshme në rrjetin social, “Tik-Tok” duke kënduar këngën “Dior” me uniformën e punës.
Njësoj e ka pësuar edhe polici nga Drenasi, pas komenteve të ngjashme si: “A dini qysh mundet Kosova m’u bë me kopsht zoologjik për një kohë të shkurtër-Veç e rrethekon Drenicën n’tela”. Ky koment i tij bëri që të reagojë policia, duke e suspenduar atë.