
34 vjet nga vrasja e Mentor Tolaj, Haradinaj: Kishte guxim dhe dëshirë të madhe të përballej me armikun
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kujtuar dëshmorin Mentor Tolaj në 34-vjetorin e vrasjes së tij.
Haradinaj thotë se Tolaj dallohej nga të gjithë luftëtarët e UÇK-së, pasi sipas kreut të AAK-së, Tolaj kishte guximin dhe dëshirën më të madhe për t’u përballur me armikun.
“Në majin e vitit 1991, në protestën e organizuar kundër regjimit jugosllav, pata fatin të bashkëveproj me shumë djem të dalluar që nuk pajtoheshin kurrsesi me regjimin serb dhe ishin të gatshëm të flijoheshin për liri. Njëri ndër ta ishte edhe Mentor Tolaj, të cilin e kujtojmë sot. Mentori dallohej nga gjithë ne për guximin dhe dëshirën e madhe për t’u përballur me armikun”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
“Pak kohë pas asaj dite, në qendër të Deçanit, Mentori u përlesh fyt për fyt me forcat policore të armikut, duke dhënë mesazhin se brezi ynë nuk e duron robërinë dhe se liria është e pakompromis. Kjo liri, për të cilën Mentori dhe shumë të tjerë u vunë në ballë të përballjes, do të jetësohej më vonë nga brezi i luftëtarëve trima të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lavdi Mentorit!”.