350 milionë euro brenda këtij viti do t’i shkojnë sektorit privat

04 dhjetor 2020 | 17:55

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Tahiri, në emisionin “Imazh” të RTK-së ka folur për kalimin e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.

Ai ka thënë se ligji hyn në fuqi në momentin e dekretimit nga ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

“I kemi marrë të gjitha masat për këtë ligj që krijon përfitime të mëdha jo vetëm për sektorin privat, por edhe për individit. Për vitin 2020 janë planifikuar 365 milionë euro që të dislokohen tek sektori privat. Ka kompensime që lidhen me ekonomi, bujqësi, grante për gratë”, ka thënë Tahiri.

Ai tutje ka thënë se janë direkt 280 milionë euro që do të shpërndahen në kompanitë private, tek kompanitë e vogla.

“Në vitin 2021 janë planifikuar 600 milionë euro t’i dislokojmë në sektorin privat”, ka thënë Tahiri. Duke folur për votat e PDK-së që ky ligj të kalojë, duke e quajtur reflektim edhe të qeverisë në raport me kërkesat e kësaj partie opozitare.

“Është reflektim edhe i yni si qeveri edhe i PDK-së. Ky ligj ka mundur të kalojë para pesë muajve, siç ndodhi sot. Këto Amandamente të PDK-së e kanë fuqizuar ligjin. Është e shëndetshme për demokracinë që kur është në interes të qytetarëve të bëhemi bashkë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, Kuvendi ishte i dëmtuar me numrin e madh të deputetëve me Covid.

“Ne i kemi pasur 64 vota, por pandemia na dëmtoi dhe nuk mund ta votonim. Po mos të ishte Covid-i ligji do të kalonte shumë më herët”, ka thënë zëvendëskryeministri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se më 14…