37-shi i AAK-së në Prishtinë, Nazmi Osmanaj: Lagjja Emshir meriton kujdesin më të madh nga qeverisja komunale

07 tetor 2025 | 17:37

Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nazmi Osmanaj, i cili garon me numrin 37 në listën zgjedhore të kësaj partie për asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, ka deklaruar se lagjja Emshir është ndër zonat që ka nevojë për më së shumti vëmendje nga qeverisja komunale.

Osmanaj ka theksuar se banorët e kësaj lagjeje po përballen çdo ditë me probleme të shumta infrastrukturore dhe me mungesën e përkujdesjes institucionale. Ai është zotuar se, me pjesëmarrjen e tij në Kuvendin Komunal dhe me Bekë Berishën në krye të Prishtinës, këto çështje do të trajtohen me prioritet.

“Banorët e lagjes Emshir çdo ditë përballen me probleme elementare që institucionet i kanë harruar: rrugë të dëmtuara, mungesë trotuarësh dhe ndriçim pothuajse inekzistent. Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme, asgjë nuk është bërë për ta përmirësuar jetën e banorëve. Lagjja po zgjerohet, por infrastruktura ka mbetur në gjendje të mjerueshme. Është koha që zëri i banorëve të dëgjohet dhe përgjegjësit të veprojnë, jo vetëm të premtojnë,” ka shkruar Osmanaj.

Në fund, ai ka kërkuar mbështetjen e banorëve të Emshirit dhe të Prishtinës në përgjithësi për numrin 37 dhe për Bekë Berishën si kandidat për kryetar të komunës, duke theksuar se kjo është “për të mirën e kryeqytetit dhe për një qeverisje që dëgjon dhe vepron në interes të qytetarëve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person është plagosur pasditen e 7 tetorit në një…