38 mijë banane mbërrijnë gabimisht në ishull, çfarë ndodhi?

03 prill 2026 | 13:20

Një gabim i pazakontë në një supermarket në Skoci ka çuar në një situatë sa problematike aq edhe të pazakontë, pasi në vend të një porosie të zakonshme me fruta, në ishullin Kirkwall mbërritën plot 38 mijë banane, shumëfish më tepër se sa ishte planifikuar fillimisht.

Sipas një zëdhënësi të rrjetit të supermarketeve Tesco, porosia fillestare kishte qenë për rreth 380 kilogramë banane, që përkthehet në afërsisht 3.200 banane. Por për shkak të një gabimi në llogaritje apo në sistemin e porosive, në ishull mbërritën 380 arka me nga 100 banane secila, duke e çuar totalin në 38 mijë. Situata u komplikua edhe më shumë nga kushtet e këqija të motit, të cilat penguan lëvizjen e trageteve, që janë jetike për furnizimin dhe transportin në këtë zonë ishullore.

Në kushte normale, mallrat e tepërta do të ktheheshin mbrapsht, por stuhitë e forta e bënë të pamundur këtë zgjidhje, duke detyruar supermarketin të gjejë një alternativë. Përballë një sasie kaq të madhe frutash, që rrezikonin të prisheshin brenda pak ditësh, drejtuesit e supermarketit vendosën të ndërmarrin një iniciativë të pazakontë, duke i shpërndarë bananet falas në komunitet. Shkollat, grupet lokale dhe banorët e zonës u ftuan të merrnin fruta për konsum, në mënyrë që të shmangej shpërdorimi.

Bananet, që mund të ruhen deri në një javë në temperaturë ambienti dhe më gjatë në frigorifer, nuk mund të shiteshin në kohë për shkak të sasisë së madhe dhe popullsisë së kufizuar të ishullit. Për këtë arsye, shpërndarja u shtri edhe në ishuj të tjerë përreth në arkipelagun Orkney.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një zbulim i rrallë arkeologjik në Gjibraltar po hedh dritë…