46 mijë shqiptarë kontribuojnë për pension privat

05 qershor 2025 | 13:09

Tregu i pensioneve private vullnetare është rritur më tej në tremujorin e parë të këtij viti.

Të dhënat e nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se tregu i është afruar kufirit të 46 mijë anëtarëve. Gjatë tremujorit të parë të vitit, numri i anëtarëve të fondeve ka arritur në 46 337 anëtarë, në rritje me 3.3% që nga fillimi i këtij viti dhe me 16.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Numri i individëve pjesëmarrës në fondet private të pensioneve po rritet me ritme të qëndrueshme dhe është në nivelet më të larta historike.

Megjithatë, depërtimi i këtyre skemave në shoqëri ngelet ende shumë modest. Numri i individëve që kontribuojnë për një pension privat ngelet në afërsisht 3% të numrit të përgjithshëm të të punësuarve në vend, çka tregon një nivel ende shumë të ulët të mbulimit me fonde private të pensioneve.

Vlera e aseteve neto të fondeve të pensionit në fund të muajit mars arriti në 13.36 miliardë lekë, në rritje me 3.8% që nga fillimi i vitit dhe me 88.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Asetet e fondeve të pensioneve janë të investuara kryesisht në obligacione të qeverisë shqiptare. Tregu i fondeve private ngelet ende segmenti më i vogël i tregut financiar në Shqipëri.

Në fund të tremujorit të parë, në treg ishin aktive gjashtë fonde të pensioneve private, që administrohen nga katër shoqëri administruese.

Sipas numrit të anëtarëve, aktori më i madh në treg është Credins Pension, me rreth 42.13% të numrit të përgjithshëm të anëtarëve, i ndjekur nga Sigal Pension me 34.84%, Raiffeisen Pension me 10.35%, Albsig Pension me 10%, Smart Pension, me 1.4% dhe Sigal Pro, me 1.27%.

Për nga vlera e aseteve neto, fondi më i madh është Sigal Pension me 38.54% të totalit, i ndjekur nga Credins Pension, me 30.71%, Raiffeisen Pension, me 20.49%, Albsig Pension me 8.88%, Smart Pension, me 0.97% dhe Sigal Pro, me 0.4%. Ligji i ri “Për fondet e pensionit privat” ka sjellë rritje të ndjeshme të incentivave fiskale për kontributet në fondet private të pensioneve.

Kufiri maksimal mujor i përjashtimit tatimor do të rritet deri në nivelin e pagës minimale të miratuar, që aktualisht ka arritur në 40 mijë lekë në muaj. Me nivelin aktual të pagës minimale, shuma e kontributeve e përjashtuar nga tatimet do të arrinte sot në 480 mijë lekë në vit ose 140% më shumë krahasuar me pragun aktual prej 200 mijë lekësh. Edhe kontributet e pensionet privat të derdhura nga punëdhënësi në favor të punëmarrësit do të përjashtohen nga tatimi në të njëjtën masë.

Ligji gjithashtu parashikon që pensionet të mos tatohen në përfitim për pjesën e kontributeve, por vetëm për kthimin nga investimi, me kusht që tërheqja të bëhet me pagesa mujore të shtrira në të paktën dy vite dhe jo në mënyrë të menjëhershme, pas përmbushjes së kushteve ligjore për përfitimin e pensionit privat./Monitor

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një tjetër ankesë e kanë dërguaf liderët e Ushtrisë Çlirimtare…