46-vjeçari që u gjet i vdekur në Kaçanik dyshohet se u vetëvra me thikë

10 nëntor 2025 | 08:57

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje komunën e Kaçanikut, ku një burrë 46-vjeçar është gjetur pa shenja jete në shtëpinë e tij në fshatin Soponiçë, ndërsa dyshohet se ka kryer vetëvrasje me thikë.

Sipas burimeve të sigurta të Sinjalit, rreth orës 14:15 të datës 9 nëntor 2025, policia është njoftuar për një trup të pajetë në një shtëpi në këtë fshat. Në vendngjarje kanë dalë menjëherë hetuesit e Stacionit Policor Kaçanik, mjekët e QKMF-së Kaçanik, si dhe forenzika rajonale, të cilët kanë konstatuar vdekjen e N. P..

Nga hetimet e para dyshohet se viktima i ka dhënë fund jetës vetë, duke e goditur veten me thikë në pjesën e fytit. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një thikë kuzhine me njolla gjaku, një skalpel dhe një telefon, që dyshohet t’i përkasin viktimës.

Sipas familjarëve, Provoliu ishte parë për herë të fundit mbrëmjen e 8 nëntorit, rreth orës 20:00, te axha i tij, ku kishte qëndruar për rreth gjysmë ore. Ai kishte jetuar i vetëm në shtëpinë ku u gjet pa jetë.

Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda nga PTH Ferizaj, rasti është inicuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi.

Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar motivin dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje tragjike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Procesi i numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut ka…