S’duhet të lejohet krijimi i bashkësive të tjera fetare me prefiks islam

20 korrik 2021 | 10:00

Kryetari i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Ajni Sinani, ka thënë se nuk duhet të lejohet krijimi i bashkësive të tjera fetare me prefiks islam.

Ai ka thënë se BIK-u i ka dhënë vërejtjet dhe sugjerimet e saj rreth draftligjit mbi bashkësitë fetare, i cili parasheh themelimin edhe të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se krijimi i bashkësive të tjera fetare me prefiks islam mund të ketë pasoja të rrezikshme për unitetin e besimtarëve të besimit islam.

“Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është Bashkësia e vetme dhe unike islame e të gjithë pjesëtarëve të besimit islam të rajonit të Prishtinës, të Gjilanit, të Mitrovicës, të Prizrenit, të Pejës, të Ferizajt, të Preshevës dhe të Gjakovës, si dhe e pjesëtarëve të Bashkësisë Islame që gjenden me punë dhe qëndrim në botën e jashtme. Asnjë institucion apo institut tjetër nuk duhet të tentojë të cenojë këtë të drejtë të BIK-ut. Nuk duhet të lejohet të krijohen bashkësi të tjera fetare me prefiks islam. Përndryshe do të kishte pasoja të rrezikshme për unitetin e besimtarëve të besimit islam”, ka thënë ai.

Sinani ka treguar kërkesat e BIK-ut për institucionet e reja të Kosovës. “Kërkesa është ti kthehen BIK-ut pronat e uzurpuara nga sistemi i kaluar monist. Të procedohet me draft-ligjin për bashkësitë fetare me sugjerimet e dhëna nga BIK-u. Gjithashtu të mundësohet futja e edukatës fetare në shkollat tona publike, veçanërisht pas shfaqjeve së shumë delikteve e vrasjeve dhe dukurive të tjera negative. Prandaj mendojmë se duhet të këtë një pajtim mes liderëve politikë që edhe përmes futjes së edukatës fetare në shkolla të kontribuohet në minimizimin e këtyre dukurive të shëmtuara”, është shprehur Sinani.

“Epoka e re”: Sot besimtarët islamë festojnë Kurban Bajramin. Cili është kuptimi i kësaj feste për besimtarët?
Sinani: Adhurimet dhe festat në Islam përmbajnë urtësi dhe porosi. Urtësia themelore e institucionit të haxhit dhe e therjes së kurbanit është fitimi i kënaqësisë së Zotit dhe pasimi i praktikës së Muhamedit a.s. Festat islame janë të lidhura me ndodhi të rëndësishme dhe shprehin gëzimin e besimtarëve pas kryerjes së obligimeve të veçanta ndaj Zotit. Pas përfundimit të agjërimit të Ramazanit, muajin kur ka filluar shpallja e Kuranit, pason festa e Fitër Bajrami; gjithashtu pas kryerjes së haxhit, në muajin kur ka përfunduar shpallja e Kuranit, pason festa e Kurban Bajramit.
Tri ngjarje me rëndësi fetare kanë të bëjnë me Kurban Bajramin: përfundimi i shpalljes së Kuranit, haxhi dhe prerja e kurbanit. Secila prej këtyre ngjarjeve paraqet simbolikisht idetë sublime islame, Kurani – devotshmërinë dhe arsimin e përgjithshëm, haxhi – solidaritetin e ndërsjellë dhe kurbani – flijimin për të tjerët.
Kurani meriton konsideratën e të gjithëve. Të nxitur nga fryma e tij, myslimanët dhanë kontributin e tyre shkencor të jashtëzakonshëm në periudhën më të errët të njerëzimit. Ai është burim i pashtershëm drejt prosperitetit shpirtëror e material dhe udhërrëfyesi më i mirë për të jetuar fisshëm në këtë botë dhe për të arritur lumturinë në botën tjetër.
Këto ditë kanë të bëjnë edhe me kryerjen e haxhit, si kushti i pestë islam. Ai është manifestim i barazisë, i paqes dhe i vëllazërimit të vërtetë islam. Në ato vende të bekuara, të gjithë haxhinjtë gjatë kohës së haxhit, pavarësisht nacionalitetit, ngjyrës, vendit, profesionit dhe pozitës, të veshur me një petk të bardhë (ihram), kryejnë të njëjtat adhurime. Gjatë ditëve të Bajramit bëhet edhe therja e kurbanit me emrin e Zotit. Myslimani ua ndan mishin e kurbanit edhe të tjerëve, posaçërisht të varfërve. Ky është një shembull i humanizmit. Institucioni i kurbanitna mëson se duhet të sakrifikojmënë emër të Zotit jo vetëm të mirat materiale, por edhe rehatinë, kohën dhe dijen në të mirë të shoqërisë, të vendit dhe të gjithë atyre që kanë nevojë, që të mund tia dalim në provimin e jetës.

“Epoka e re”: A do ta vazhdojë Bashkësia Islame traditën e therjes së kurbaneve edhe këtë vit dhe, nëse po, cili është çmimi i vendosur për një kurban?
Sinani: Po sikurse edhe viteve të shkuara edhe këtë vit vazhdon tradita e therjes së Kurbanit. Bashkësia Islame e Kosovës, për sa i takon therjes së kurbaneve, tashmë ka një përvojë dhe eksperiencë mbi 50-vjeçare. Kryerjen e këtij obligimi e sheh si amanet dhe e realizon me shumë përgjegjësi. Numri i porosive për kurbane në adresë të Kryesisë së BIK-ut çdo vit është në rritje, si nga brenda edhe nga jashtë. BIK-u bën therjen e më shumë se 1000 krerë lopëve për kurban. I tërë ky kontingjent i mishit të kurbanit iu shpërndahet të varfërve, jetimëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës, medresesë, dhe shumë institucioneve të tjera meritore në vend. Çmimi është sikurse i viteve të shkuara, 120 euro.

“Epoka e re”: Edhe kjo festë do të pritet në pandemi, ndonëse në rrethana më të mira së vitin e kaluar. Që disa muaj ka filluar vaksinimi i qytetarëve kundër Covidit, por ka shumë qytetarë që po hezitojnë ta marrin vaksinën. Cili është qëndrimi i BIK-ut për këtë çështje?
Sinani: Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar në kontinuitet respektimin e rregullave dhe të masave mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së Covid-19, si dhe domosdoshmërinë për kujdes dhe vëmendje të shtuar në ruajtjen e shëndetit publik. Qëndrimi i BIK-ut është se duhet të vazhdohet me vaksinimin. Tashmë një numër jo i vogël i nëpunësve dhe i hoxhallarëve tanë kanë filluar të vaksinohen. Rreth kësaj është biseduar edhe me qeverinë tonë. Urojmë që sa më shpejt inshaAllah të kalojë kjo pandemi.

“Epoka e re”: Myftiu Naim Tërnava, së fundi ka takuar disa liderë institucionalë dhe politikë. Çka është diskutuar në këto takime dhe a ka pasur Myftiu ndonjë kërkesë specifike ndaj liderëve institucionalë e politikë?
Sinani: Kërkesa është t’i kthehen BIK-ut pronat e uzurpuara nga sistemi i kaluar monist. Të procedohet me draft-ligjin për bashkësitë fetare me sugjerimet e dhëna nga BIK-u. Gjithashtu të mundësohet futja e edukatës fetare në shkollat tona publike, veçanërisht pas shfaqjeve së shumë delikteve e vrasjeve dhe dukurive të tjera negative. Prandaj mendojmë se duhet të këtë një pajtim mes liderëve politikë që edhe përmes futjes së edukatës fetare në shkolla të kontribuohet në minimizimin e këtyre dukurive të shëmtuara.

“Epoka e re”: Bashkësisë Islame, sikurse edhe bashkësive të tjera fetare në vend, mungesa e ligjit që përcakton pozitën juridike të bashkësive fetare po i shkakton vështirësi në funksionim normal. A e keni adresuar këtë çështje tek institucionet e reja?
Sinani: Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është për përcaktimin e pozitës juridike të bashkësive fetare. BIK-u ka dhënë edhe vërejtët dhe sugjerimet rreth draft- ligjit mbi bashkësitë fetare. Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës është Bashkësia e vetme dhe unike islame e të gjithë pjesëtarëve të besimit islam të rajonit të Prishtinës, të Gjilanit, të Mitrovicës, të Prizrenit, të Pejës, të Ferizajt, të Preshevës dhe të Gjakovës, si dhe e pjesëtarëve të Bashkësisë Islame që gjenden me punë dhe qëndrim në botën e jashtme. Asnjë institucion apo institut tjetër nuk duhet të tentojë të cenojë këtë të drejtë të BIK-ut. Nuk duhet të lejohet të krijohen bashkësi të tjera fetare me prefiks islam. Përndryshe do të kishte pasoja të rrezikshme për unitetin e besimtarëve të besimit islam.

“Epoka e re”: Cili është mesazhi juaj për festën e Kurban Bajramit?
Sinani: Sigurisht të lëmë inatet, urrejtjet, përçarjet, shpifjet e gënjeshtrën. Të bëjmë kthesë drejt vlerave hyjnore. Në këto ditë Bajrami të ofrojmë falje, pajtim, paqe, harmoni, respekt ndaj familjarëve dhe të afërmeve. Ti vizitojmë edhe ata që nuk na vizitojnë. Të tregojmë solidaritet ndaj atyre që janë të varfër e të ngratë, sikurse na mëson Kurani fisnik. Të pranojmë në këto ditë të bekuara fajet dhe gabimet tona dhe ti përmirësojmë raportet tona me Krijuesin dhe krijesat e Tij. Të punojmë si individë, si shoqëri dhe si shtet për një Kosovë ku do të këtë të ardhme të ndritur për rininë tonë.

(Muhamet Koci)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi,  i shoqëruar nga kandidati i…