Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kërkon listën e dëshmitarëve, prokuroria refuzon ta bëjë një gjë të tillë

21 korrik 2021 | 17:13

Mbrojtja në ecurinë e rastit të Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka kërkuar nga prokuroria e Gjykatës Speciale listën paraprake të dëshmitarëve që do të dëshmojnë gjatë procesit gjyqësor.

Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka thënë se kërkesa e tyre ka të bëjë me konfirmimin se kush do të dëshmojë dhe kush jo në këtë proces.

“Kërkesa jonë ka të bëjë me konfirmimin se kush dëshiron të thirren në gjykim apo cilët nuk dëshirojnë të dëshmojnë. Kemi marrë dëshmi në formë transkripti nga procese jashtë këtij institucioni. Do të donim të dinim nëse këta dëshmitarë do të thirren nga prokuroria për të dëshmuar apo jo. Propozojmë që prokuroria të përgatis një listë për këtë qëllim. Po kështu kemi kërkuar nëse mund të na e nxjerrin një listë paraprake brenda datës 2 gusht kur do të identifikohen dëshmitarët”, ka thënë Misetiqi.

Edhe avokatët e tjerë mbrojtës e kanë mbështetur kërkesën e Misetiqit duke thënë se ky është një sugjerim logjik.

“Është një sugjerim shumë i logjikshëm që bën mbrojtja e z. Thaci”, ka thënë David Young, avokat i Rexhep Selimit.

“E mbështesim kërkesën e bërë nga ekipi i mbrojtjes i Thaçit”, ka thënë Ben Emmerson, avokat i Kadri Veselit.

Mirëpo, prokuroria e ka refuzuar këtë kërkesë, duke e konsideruar atë komplet jashtë kontekstit.

“Janë përmendur qindra dëshmitarë të mundshëm por kjo kërkesë që bëhet duket se është komplet jashtë kontekstit dhe pa pasur parasysh veçoritë tona gjyqësore”, ka thënë prokurorja e rastit.

Ndaj kësaj deklarate ka reaguar avokati Misetiq, i cili ka thënë se nuk e kupton refuzimin e prokurorisë.

“Nuk shoh arsye se përse e ka kaq të vështirë Prokuroria që ta bëjë këtë. Nuk e kuptoj pse kërkohen kaq shumë burime për të krijuar një listë të tillë, dhe kjo do të ishte thjeshtë një udhëzues për mbrojtjen, për mënyrën se si do ta përgatisim mbrojtjen tonë. Derisa të na japin arsye të fortë se përse nuk mund të na japin një listë të tillë ne do të vazhdojmë ta kërkojmë”, ka thënë ai.

Kurse prokurorja e rastit i është përgjigjur Misetiqit, duke thënë se listat jepen brenda afateve të përcaktuara dhe mënyra e dhënies së dëshmisë do të jepet në atë kohë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lojërat Olimpike do të startojnë zyrtarisht të premten teksa po…