5 vite të pushtetit ‘Krejt dhe drejt’ në Kosovë
Shkruan: Muhamet Hamiti
Kosova ka qenë në pesë vitet e fundit nën pushtetin e Vetëvendosjes dhe të kooptuarëve të saj, me kryeministër Albin Kurtin dhe presidente Vjosa Osmanin, me pushtet absolut ekzekutiv dhe legjislativ. E kishin kërkuar pushtetin ‘Krejt dhe drejt’ dhe e morën me votë. Dy degët e tjera të pushtetit, gjyqësorin dhe median, u përpoqën sistematikisht t’i kapin. Kur nuk mundën, i sulmuan ashpër.
Gjysmën e kësaj kohe, Kosova ka qenë nën sanksione të ashpra ekonomike të BE-së për shkak të politikave të papërgjegjshme të Qeverisë. Marrëdhëniet me SHBA-të kanë qenë në pikën më të ulët prej pavarësisë sonë. Kosova është sot më larg integrimeve euro-atlantike se para pesë vitesh.
Në shkurt-mars 2023, kryeministri Kurti pranoi në Bruksel dhe Ohër marrëveshje për ‘vetëmenaxhim të serbëve’, që njohësit e kanë cilësuar autonomi për serbët në Kosovë, në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ka pasur korrupsion masiv qeveritar në këto vite të stagnimit ekonomik, të valës në rritje të braktisjes së vendit prej qytetarëve në kërkim të jetës më të mirë gjetiu. Gjendja në shëndetësi dhe në arsim po keqësohet.
Ky pushtet absolut 5-vjeçar i Vetëvendosjes së Albin Kurtit u testua me votë dy herë vitin e kaluar. E mori përkrahjen e një shumice solide në shkurt me moton “cep më cep”, edhe më të madhe në dhjetor të vitit të kaluar me moton ‘mos lësho pe’. Kjo ndodhi përkundër – ndoshta falë – paralizës pothuaj njëvjeçare të institucioneve kryesore të Kosovës, Kuvendit dhe Qeverisë, e cila sundoi efektivisht, sepse nuk kishte mbikëqyrje parlamentare, dhe e keqpërdori brutalisht buxhetin e shtetit për qëllime elektorale.
Në vigjilie të javës kur duhet të vendoset nëse Kuvendi i Kosovës do ta zgjedhë Presidentin e vendit apo do të shpërbëhet dhe të shkohet në zgjedhje nacionale sërish, duket se Kurti me Vetëvendosjen e vet duan sërish pushtet absolut, ‘Krejt dhe drejt’, ‘cep më cep’, sipas maksimës së tyre të dashur: ‘mos lësho pe’.
Një pushtet i tillë absolut edhe për një mandat do ta cenonte rëndë rendin demokratik në Kosovë, do ta bënte vendin tonë të pajetueshëm për njerëzit që e kanë shijuar lirinë dhe demokracinë në këtë shekull.



