5 VJET DREJTUAR LETËR STËRGJYSHIT LUFTËTAR

27 qershor 2024 | 21:49

Ismet Sylejmani

I dashur dhe i nderuar stërgjyshi ynë Baba Sylë,

146 vite pas lindjes Tënde e 95 vite nga vdekja Jote dhe në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës nga Serbia pushtuese, një rrugë në lagjen e fshatit Tënd të lindjes në Cernicë, është emruar me emrin Tënd!

Çfarë krenarie për neve stërnipërit Tuaj që ishim të radhitur me pushkë në duar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e me kontribute edhe në UÇPMB e në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare!

Por krenari është edhe për shokët e bashkëluftërarët tanë, për themeluesit, komandantët e ushtarët e lavdishëm të UÇK-së, sepse ata te Ti dhe stergjyshërit e gjyshërit, baballarët dhe të tjerë pararendës të tyre, shohin paraardhësit e mëdhenj që na e shtruan rrugën dhe na e bënë të kristaltë historinë për të luftuar e për të mos u dorëzuar as kundër armikut dhe as kundër tradhëtarëve të vendit!

I dashur dhe shumë i nderuar Babloku ynë, në Kosovën e Lirë e të pavarur, në mesin e emrave të shumtë që u janë vënë rrugëve nga ata që kanë derdhur gjak e që kanë luftuar për lirinë dhe çlirimin e Atdheut, është edhe emri Yt i madh, që për ne pasardhësit tuaj përbën një nderim të madh e maksimal luftarak çlirimtar, kombëtar e shtetërorë !

I dashur dhe shumë i nderuar Baba Sylë!

Nga të parët tanë që na e lanë me gojë trashëgim historinë, e dijmë o Baba Sylë, se babai Yt Hajdini shkoi në luftë në vend të Mixhës Hazir, dhe në betejën në Pleven të Bullgarisë edhe u vra atje sëbashku me shumë shqiptarë të tjerë që i lanë kockat, e Ti i dashur dhe shumë i nderuar Bablok mbete jetim e u rrite në Velekincë me bukë nga dera bujare e familjes Abdyli të dajeve Tu, me shumë vuajtje të rriti e me besnikëri Lokemadhja Arife!

Ti stërgjyshi ynë i madh Baba Sylë, duke dëgjuar për rënien heroike të babait Tënd Hajdinit në betejat antinjerëzore e për llogari të perandorëve osman, i brumosur me dashuri ndaj Atdheut në derën bujare të dajëve në Velekincë e nise luftën çlirimtare me pushkë në dore kundër perandoreve osmanlinjë e krajlëve serb!

Ne stërnipërit Tu, për të nderuar emrin e madh dhe të lavdishëm që na e ke lënë trashëgim Ti, iu futëm luftës për liri me gjithë shpirtë e zemër, nuk u kursyem dhe deshi fati që nuk u vramë në luftë, ndonëse shumë shokë e bashkëluftëtarë kanë derdhur gjakun dhe janë Dëshmorë e Heronjë të Kombit!

Tash Kosova Atdheu ynë i dashur dhe i shtrenjtë është e lirë dhe e pavarur nga Serbia pushtuese!

Prandaj stërgjyshi Ynë, të nisim letër e të njoftojmë atje në qiell ku je, se në hartën e emrave të rrugëve të Kosovës është edhe emri Yt lavdimadh, që për neve pjestarët vazhdues të drejtëpërdrejtë të gjakut Tënd, është nderim i madh dhe obligim përgjithmonë karshi fateve dhe interesave të vendit!

Jemi me fat që jemi vazhduesit e ADN-së Tënde!

Lavdi e përjetshme!

Ismet Sylejmani
Cernicë, 27 Qershor 2019!

Sylejman Sylejmani i lindur në vitin 1873 në Cernicë dhe i ndarë nga jeta në vitin 1924 po në Cernicë!
Ky burrë i madh e i lavdishëm, përfaqësuesi më në zë i fisit e i familjes tonë, nga gjaku ynë është i pari dalëzotës e famëmadh i fateve të Atdheut, ku nën komandën e Komandantit legjendar Idriz Seferi luftoi me armë kundër hordhive turke.
Pavarësinë e Atdheut e mbrojti me armë në duar kundër Perandorisë Osmane!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Richard Overy – The Telegraph Imagjinoni, për një moment, që…