50 studentë do të kryejnë punë praktike me pagesë në institucionet energjetike

01 mars 2019 | 14:39

Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike do të kenë mundësi që të kryejnë punë praktike me pagesë në institucionet e sektorit energjetik të cilat i përfaqëson Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, së bashku me rektorin e Universitetit të Prishtinës, prof. Marjan Dema, kanë nënshkruar të premten memorandumin e bashkëpunimit që u mundëson 50 studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të kryejnë punën praktike tremujore me pagesë në Korporatën Energjetike të Kosovës “KEK SH.A”, Operatori, Sistemi, Transmisioni dhe Tregu “KOSTT SH.A”, Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike “KESCO SH.A” dhe në Kompaninë për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike në Kosovë “KEDS SH.A”.

Gjatë fjalimit para nënshkrimit të memorandumit, ministri Lluka ka falënderuar rektorin Dema i cili i është përgjigjur kërkesës për nënshkrim të memorandumit brenda ditës, duke theksuar se kjo nismë do t’i përgatitë kuadrot e reja për investimet të cilat vijnë në sektorin e energjisë.

“Me strategjinë e re të sektorit energjetik ne planifikojmë që të investojmë 3 miliardë euro në këtë sektor dhe kjo do të kërkojë kuadro të reja dhe të përgatitura. Kjo marrëveshje është një kontribut i madh në këtë aspekt”, është shprehur Lluka.

Në anën tjetër rektori Marjan Dema ka falënderuar ministrin Lluka për iniciativën, duke pohuar se kjo iniciativë do t’i ndihmojë studentët të fitojnë njohuri të reja dhe të përgatiten për tregun e punës.

“Kjo iniciativë ka ardhur nga ministri Lluka dhe e falënderojmë për këtë. Ne duhet të përgatisim kuadro të cilat janë të gatshme të përballen me tregun e punës dhe kjo marrëveshje është njëra prej mënyrave. Kjo është një mundësi e mirë për studentët e sektorit të energjetikës që të përgatiten dhe t’i ndihmojnë këtij sektori”, ka deklaruar rektori Dema.

Përveç punës praktike, studentët do të kenë mundësi që nën angazhimin e personelit të UP-së të zhvillojnë aktivitete shkencore dhe profesionale, të përdorin pajisjet dhe laboratorët e UP-së për aktivitete si dhe shfrytëzimi i sallave të MZhE-së dhe UP-së për organizim e trajnimeve dhe konferencave të ndryshme, të gjitha këto me synim të promovimit dhe masivizimit të edukimit në fushën e energjisë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Janë luajtur ndeshjet e radhës në kampionatin më të bukur…