50-vjetori i AShAK-ut: Themelimi i këtij institucioni pesë dekada më parë shënoi një moment historik

10 dhjetor 2025 | 08:45

Akademik Arsim Bajrami

Sot, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës shënon 50-vjetorin e themelimit të saj – një përvjetor jubilar i një prej institucioneve më madhore të identitetit tonë shkencor, kulturor dhe kombëtar. Themelimi i këtij institucioni, pesë dekada më parë, përbënte një moment historik të emancipimit të shoqërisë sonë dhe të afirmimit të popullit shqiptar në Kosovë si bartës i vlerave të mirëfillta akademike e civilizuese.

Në rrethanat e asaj kohe, themelimi i Akademisë nuk ishte thjesht një akt institucional, por një deklarim i fuqishëm i vullnetit kolektiv për të kultivuar shkencën, artin dhe mendimin kritik si shtylla të identitetit tonë. Ky moment përfaqësoi hapjen e një etape të re, ku intelektualët, krijuesit dhe dijetarët tanë morën rolin e merituar në ndërtimin e një kulture moderne, në forcimin e vetëdijes sonë historike dhe në promovimin e vlerave universale të dijes.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës është institucioni më i rëndësishëm dhe më i lartë të dijes shkencore dhe të krijimtarisë artistike. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka qenë dhe është simbol i ngritjes së Kosovës në periudhën më të re të historisë së saj, simbol i emancipimit të përgjithshëm, i ngritjes diturore dhe prosperitetit shoqëror, ekonomik dhe kulturor, përfshirë edhe pavarësimin e saj dhe konsolidimin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) është themeluar më 20 dhjetor të vitit 1975 në Prishtinë me Ligj të veçantë të Kuvendit të Kosovës.Akademia është institucioni më i lartë i shkencës dhe i artit i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Akademia është institucion i pavarur në fushën e shkencës dhe të artit. Veprimtaria e Akademisë është e interesit të veçantë publik në Republikën e Kosovës. Interesi i veçantë publik i Akademisë shprehet në ushtrimin e veprimtarisë së saj në fushën e shkencës dhe të artit, që përfshin promovimin, kultivimin, nxitjen dhe zhvillimin e mendimit shkencor dhe të krijimtarisë artistike.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës si institucion i pavarur dhe më i lartë shkencor dhe artistik në Kosovë aspiron përsosmërinë shkencore dhe artistike dhe ndikimin e shkencës, të artit dhe të kulturës në zhvillimin e shoqërisë. ASHAK-u si institucion mëton të reflektojë autoritet, besueshmëri dhe pavarësi, duke u mbështetur në një sistem vlerash të ndërtuara mbi rigorozitet shkencor, mendim kritik dhe transparencë. Ajo ndërmerr hapa për rritjen e kontributit të shkencës dhe të artit në krijimin e shoqërisë së bazuar në dije dhe kulturë, si kusht i domosdoshëm për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe shoqëror. Akademia njëherësh synon ndërlidhjen e krijimtarisë shkencore dhe artistike të Kosovës me vendet e tjera në Evropë dhe në botë, duke kultivuar përkujdesje sistematike për trashëgiminë kulturore dhe natyrore.

ASHAK-u punon për nxitjen, zhvillimin, promovimin dhe avancimin e shkencës dhe të artit në Kosovë, për ndërtimin e një shoqërie të bazuar në dije. Realizon, ideon dhe organizon projekte shkencore dhe artistike me interes për zhvillimin shoqëror, ekonomik e kulturor të Kosovës përmes botimit të materialeve kërkimore nga fusha e shkencës, e artit dhe e kulturës; përmes mbajtjes së aktiviteteve artistike dhe të diskutimeve kulturore, me qëllim të ngritjes së mendimit kritik në Kosovë; promovimit të mendimit shkencor e artistik në Kosovë dhe përfshirjes së këtij mendimi në rrjedhat globale.

Me suprimimin e autonomisë së Kosovës, ASHAK iu nënshtrua politikave represive serbe. Në prill të vitit 1989 u ndërpre financimi i veprimtarisë së Akademisë me “arsyetimin” se nuk i përmbush standardet jugosllave dhe se me angazhimet e saj publike e cenonte rendin kushtetues të ish-Jugosllavisë.

Në vitin 1992 Kuvendi i Serbisë, edhe pse nuk ishte themelues i kësaj Akademie, shpalli të mbyllur ASHAK-un. Anëtarët e kësaj Akademie nuk e përfillën vendimin e Serbisë dhe vazhduan punën në kushte dhe rrethana të jashtëzakonshme deri në vitin 1994, kur policia serbe mbylli godinën e ASHAK-ut duke e përdorur atë për qëllime të tjera. Me nismën dhe frymëzimin e drejtpërdrejtë të SASA-së (Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve) në vitin 1992, përmes ligjit për Akademinë Serbe të sponsorizuar nga ajo vetë, Parlamenti okupues i Serbisë e shpalli të mbyllur Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës të themeluar nga Parlamenti i Kosovës dekada më parë. Më 1994 pushteti okupues serb sekuestroi ndërtesën e Akademisë së Kosovës bashkë me bibliotekën, arkivin dhe gjithçka tjetër, kështu që Akademia qe e shtrënguar të vazhdonte punën e saj në një shtëpi private .

Pas përfundimit të luftës Akademia rikthehet në objektin e saj, kurse nga viti 2009 ajo vendoset në objektin modern të saj të ndërtuar nga Ministria e Administratës Publike. Në vitin 2015 MASHT në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e ASHAK, hartoj Ligjin për ASHAK-un i cili u miratua në Kuvendin e Kosovës.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës për më shumë se pesë dekada të ekzistimit të saj nuk ka qëndruar indiferente ndaj zhvillimeve të mëdha shoqërore dhe politike. Akademia e ka shprehur publikisht mendimin shkencor për shumë çështje në çastet kyçe të zhvillimeve shoqërore dhe politike: nga Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut 1990 dhe gjatë gjithë viteve 90, pas luftës është shprehur disa herë për statusin e Kosovës, për bisedat e Vjenës 2005-2007, për Mitrovicën dhe veriun e vendit, për Kushtetutën, për Planin e Ahtisarit, për decentralizimin, për Luginën e Preshevës, për trashëgiminë kulturore, për regjistrimin e popullsisë, për procesin e anëtarësimit në UNESCO, për sjelljen e SANU-së ndaj Kosovës dhe shqiptarëve etj. Për të gjitha këto çështje Akademia ka shprehur qëndrime publike, ka mbajtur disa tryeza dhe konferenca shkencore, ka botuar studime, monografi dhe libra. Në mënyrë të veçantë, viteve të fundit Akademia ka bërë studime dhe konferenca shkencore, ku është argumentu me fakte shkencore gjenocidi i Serbisë në Kosovë.

Me këtë rast të shënuar, në këtë jubile të madh që kurorëzon gjysmë shekulli ekzistence, pune dhe përkushtimi, ne shprehim me përulësi të thellë falënderimin dhe mirënjohjen tonë post mortem për të gjithë akademikët themelues. Ata, me vizionin e tyre largpamës, me guximin intelektual dhe me sakrificën e heshtur, ngritën themelet e këtij tempulli të dijes dhe shkencës në Republikën e Kosovës.Nëpërmjet veprës së tyre, ata vunë gurët e parë të një institucioni që sot përfaqëson jo vetëm memorien e përbashkët shkencore të vendit, por edhe aspiratën tonë kolektive për përparim, emancipim dhe zhvillim. Në nder të tyre, ne riafirmojmë zotimin tonë për ta çuar përpara misionin e Akademisë, me përgjegjësi të pashuar dhe përkushtim ndaj idealeve që ata përfaqësuan.

Republika e Kosovës, përmes Ligjit për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ka krijuar kushte të mirëfillta për punën dhe pavarësinë institucionale të këtij tempulli të dijes. Ky kuadër ligjor ka garantuar autonominë funksionale të Akademisë, duke i mundësuar asaj të zhvillojë misionin e vet shkencor dhe artistik në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të pakompromis.

Për më tepër, shteti ka siguruar kushte të përparuara hapësinore dhe një pozitë të qëndrueshme materiale, e cila sot vlerësohet ndër më të mirat në rajon. Kjo përkujdesje institucionale jo vetëm që reflekton respektin e Republikës së Kosovës ndaj dijes dhe shkencës, por edhe afirmon bindjen se Akademia duhet të mbetet një bastion i mendimit të lirë, i profesionalizmit dhe i integritetit akademik.

Në ketë kontekst, duke shenuar me krenari këtë jubile epokal të gjysmë shekullit të punës dhe veprimtarisë, para Akademisë sonë shtrohet sot sfida e reformimit të saj, në mënyrë që ajo të përmbushë plotësisht funksionin dhe misionin e vet si avangardë e mendimit dhe krijimtarisë shkencore në Kosovë.

Me këtë rast do të gjithë akademikëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës i urojmë 50 vjetorin e themelimit!

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 11 dhjetor në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” desku i…