56 vjetori i UP-së: Nderohen profesorët dhe punëtorët administrativë që përfunduan punën
22 profesorë dhe 4 punëtorë të administratës që do të përfundojnë karrierën e tyre akademike dhe punën gjatë këtij viti, janë nderuar me mirënjohje në 56 vjetorin e UP-së.
Mirënjohjet profesorëve që arritën moshën e pensionimit iu dhanë për një jetë të tërë mësimdhënie dhe edukimi të gjeneratave të shumta të studentëve, ndërsa punëtorëve të administratës për punën e palodhshme në shërbim të UP-së.
Mirënjohjet profesorëve dhe punëtorëve të administratës ua ndau rektori, prof. Arben Hajrullahu.
Gjatë kësaj ceremonie solemne, rektori Hajrullahu falënderoi profesorët dhe punëtorët e administratës që punuan për universitetin dhe të mirën e përgjithshme.
Ai u bëri thirrje këtyre punëtorëve që të mos e ndalin punën edhe pas pensionimit zyrtar, derisa konstatoi se UP-në po e lënë në gjendje shumë më të mirë sesa në kohën kur e morën detyrën.
Një plaketë e veçantë iu dhurua punëtores në Administratën Qendrore të UP-së, Sebahate Nezirit, për përkushtimin e jashtëzakonshëm në punë.
Universiteti i Prishtinës edhe vitin e kaluar nderoi punëtorët e tij që dolën në pension.
Universiteti i Prishtinës, më i madhi, më i vjetri dhe më i rëndësishmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë e përtej, ka një personel prej mbi 1000 personash.



