
57 mijë qytetarë të Kosovës hoqën dorë nga shtetësia për 16 vjet
Rreth 57 mijë kosovarë kanë hequr dorë nga shtetësia, nga fillimi i vitit 2008 e deri në fund të 2023-ës.
Këtë e kanë bërë me dije për “Radio Kosovën” zyrtarë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB). Sipas MPB-së, arsyeja kryesore për kërkesë për lirimin nga shtetësia është moslejimi i dy shtetësisë në shtete të ndryshme, kryesisht të BE-së.
“Nga 1 janari e deri më 12 shkurt 2024 nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar 329 persona. Gjatë kësaj periudhe shtetësinë e kanë fituar 61 persona. Ndërsa, gjatë gjithë vitit 2023 nga shtetësia janë liruar 3 mijë e 98 persona, kurse shtetësinë e Republikës se Kosovës e kane fituar 708 persona”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi.
Nga viti 2008 deri në fund të vitit 2023, nga shtetësia e Kosovës janë liruar 57 mijë e 155 persona, ka thënë Fetoshi, duke shtuar se për periudhën e njëjtë kohore shtetësinë e kanë fituar 3 mijë e 568 persona.