
6.74 milionë dollarë për mjedisin, një hap konkret drejt një të ardhmeje të qëndrueshme
Një marrëveshje e re ndërmjet Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) shënon një moment të rëndësishëm për përpjekjet mjedisore në vend. I mbështetur drejtpërdrejt nga zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ky partneritet synon të prodhojë rezultate konkrete në luftën kundër shkatërrimit të natyrës dhe ndryshimeve klimatike.
Sipas marrëveshjes, 6.74 milionë dollarë amerikanë do të ndahen në kuadër të fazës së tetë të projekteve të GEF (Global Environment Facility), duke përfshirë: 1 milion dollar për përballjen me ndryshimet klimatike, 3 milionë dollarë për mbrojtjen e biodiversitetit, 2.74 milionë dollarë për rikuperimin e tokave të degraduara.
Postimi i plotë i tij në “Facebook”:
6.74 milionë dollarë për tokën tonë, për natyrën, për të ardhmen tonë!
Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe UNDP-ja kanë vendosur një marrëveshje të re bashkëpunimi.
Ky partneritet i ri synon rezultate konkrete: të ndalim shpyllëzimin, të rikuperojmë tokat e dëmtuara, të mbrojmë biodiversitetin dhe të rrisim rezistencën ndaj pasojave të klimës. Të gjitha këto do të mbështeten financiarisht përmes fazës së 8-të të projekteve të GEF, me një buxhet total prej 6.74 milionë dollarësh amerikanë: 1 milion $ për ndryshimet klimatike, 3 milion $ për biodiversitetin dhe 2.74 milion $ për degradimin e tokës.
UNDP vazhdon të jetë një partner i besueshëm dhe strategjik, përherë dhe në çdo cep ku përballja me sfidat mjedisore kërkon veprim konkret. Me këtë marrëveshje, po kalojmë nga premtimet në punë të matshme, nga planet në rezultate.
Sepse koha për veprim nuk është nesër. Është sot. Dhe përballë krizave mjedisore që nuk njohin kufij, veprimet tona kombëtare janë pjesë e një përgjegjësie të përbashkët. Ne kemi zgjedhur të jemi pjesë e zgjidhjes!